• сабота, 07 март 2026

Mickoski: Nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta, nuk ka shtet modern pa të rinj të arsimuar dhe të motivuar

Mickoski: Nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta, nuk ka shtet modern pa të rinj të arsimuar dhe të motivuar

Shkup, 7 mars 2026 (MIA) - Vizioni ynë është i qartë - arsimi duhet të jetë themeli i zhvillimit të vendit. Nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta, nuk ka shtet modern pa të rinj të arsimuar dhe të motivuar, porositi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij me rastin e vendosjes së gurthemelit të kampusit të ri të Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup.

Siç theksoi Mickoski, kampusi do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 31.000 metrash katrorë dhe do të përfaqësojë një kompleks akademik modern me amfiteatro modernë, hapësirë ​​studentore, pishinë, salla sportive - infrastrukturë në përputhje me nevojat e arsimit të lartë modern. Investimi është gjithsej 42 milionë euro, nga të cilat 40 milionë janë për ndërtim dhe dy milionë për mbikëqyrje të ndërtimit.

"Ky projekt paraqet një investim strategjik në të ardhmen e shtetit. Një investim që do të krijojë kushte bashkëkohore për arsim, punë shkencore dhe zhvillim akademik. Por ky investim është pjesë e një fotografie më të gjerë – fotografia e arsimit që po e ndërtojmë. Vizioni ynë është i qartë: arsimi duhet të jetë themeli i zhvillimit të shtetit. Nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta. Nuk ka shtet modern pa të rinj të arsimuar dhe të motivuar. Prandaj paralelisht investojmë në modernizimin e shkollave, në përmirësimin e kushteve të punës për mësuesit dhe profesorët, në programe të reja arsimore, në digjitalizimin e mësimit dhe në lidhjen e arsimit me nevojat e ekonomisë moderne", ka thënë Mickoski.

Tha se qëllimi është i qartë – të rinjtë të kenë mundësinë të studiojnë, të zhvillohen dhe të ndërtojnë karrierën e tyre këtu, në vendin e tyre.

"Universitetet duhet të jenë qendra të dijes, kërkimit dhe inovacionit. Vende ku krijohen ide, ku zhvillohen teknologji të reja dhe ku përgatiten gjenerata që do ta çojnë shtetin përpara. Universiteti “Nënë Tereza” është një pjesë e rëndësishme e këtij rrjeti akademik. Me këtë kampus të ri i japim mundësi të zhvillohet edhe më fuqishëm dhe të bëhet një qendër bashkëkohore arsimore që do t’u shërbejë studentëve, komunitetit akademik dhe gjithë shoqërisë. Ky nuk do të jetë vetëm një vend për ligjërata dhe provime. Kjo do të jetë një hapësirë ku do të krijohet dije, ku do të lindin ide, ku të rinjtë do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre", ka thënë Mickoski.

Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, Qeveria vazhdon të përmirësojë kushtet infrastrukturore për mësimdhënësit dhe studentët.

"Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, po vihet gurthemeli i Universitetit më të ri. Po përmirësojmë kushtet infrastrukturore për mësimdhënësit dhe studentët që të motivohen, veçanërisht profesorët për të ofruar arsim të shkëlqyer, për të përcjellë njohuri dhe aftësi te studentët. Besoj se ndërtimi do të shkojë sipas planit dhe se për pesë vjet do të kemi një ndërtesë të bukur - një tempull të shkencës, arsimit, artit dhe krijimit të kapitalit njerëzor. Pres që ata që do të punojnë dhe studiojnë këtu t'i kthejnë shtetit duke fituar njohuri dhe aftësi serioze, për ta bërë vendin më konkurrues", theksoi Janevska.

Foto: MIA

Остани поврзан