• петок, 20 февруари 2026

Mickoski me agjendë të intensifikuar diplomatike në ditën e dytë të Konferencës së 62-të të sigurisë në Munih: Porosi për partneritet dhe përkrahje për eurointegrimet

Mickoski me agjendë të intensifikuar diplomatike në ditën e dytë të Konferencës së 62-të të sigurisë në Munih: Porosi për partneritet dhe përkrahje për eurointegrimet

Shkup, 14 shkurt 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski me një sërë takimesh bilaterale në ditën e dytë të Konferencës së 62-të të sigurisë në Munih, e vazhdoi agjendën e intensifikuar diplomatike në Munih.

Mickoski, në deklaratë nga Munihu informoi se ka realizuar takime me kryeministrin holandez, Dik Shof dhe Ted Dojç nga Komiteti amerikano-hebraik, ka marrë pjesë në fjalimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio, ndërsa paralajmëroi edhe takime me presidentin e Ukrainës, Vollodimir Zelenski, ambasadorin Grenel dhe përfaqësuesin e grupacionit financiar, Goldman Saks.

"Mirëdita nga Munihu, dita e dytë e Konferencës së 62-të të Sigurisë në Munih. Ditën e nisëm me një takim me Ted Dojç, kryetar i Komitetit amerikano-hebraik, takim në të cilin biseduam për sfidat globale të sigurisë, por edhe për paqen, e cila gjithmonë duhet të jetë qëllimi ynë dhe drejt së cilës duhet të synojmë si politikanë", deklaroi Mickoski.

Menjëherë pas kësaj, siç tha, mora pjesë në fjalimin jashtëzakonisht frymëzues të sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio.

"Fjalim në të cilin ai edhe një herë theksoi sfidat globale botërore, para së gjithash ato të sigurisë, por edhe atë që për të është veçanërisht e rëndësishme, që ishte edhe thelbi i fjalimit të tij, lidhja e pandashme mes Evropës si kontinent dhe Amerikës si kontinent, ose për të qenë më i saktë, ashtu siç e quajti ai Amerikën, fëmijë të Evropës. Ajo që ai përcolli si mesazh kryesor ishte se, si partnerë dhe si miq, duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë në botë, jo vetëm në kuadër të Aleancës së NATO-s, por edhe së bashku t'i zgjidhim të gjitha ato sfida të sigurisë, si dhe sfidat ekonomike me të cilat përballemi si dy kontinente të ndryshme, Evropa dhe Amerika", tha kryeministri Mickoski.

Ai ka realizuar takim bilateral edhe me kryeministrin e Holandës, ku, siç tha, u bisedua për tri çështje të rëndësishme për ne si shtet.

"Së pari, jemi në të njëjtën konstituencë së bashku me Holandën në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Së dyti, investimet holandeze në Maqedoni, si dhe bashkëpunimi me kompaninë multinacionale 'Philips' dhe mundësitë për bashkëpunim në sektorin e shëndetësisë. Dhe tema e tretë për të cilën biseduam ishin proceset eurointegruese të Maqedonisë në kuadër të Bashkimit Evropian", tha Mickoski.

Ai, shtoi më tej, ditën e vazhdon me takime dhe aktivitete të tjera.

"Një nga këto takime do të jetë edhe takimi me presidentin e Ukrainës, Vollodimir Zelenski, më pas me ambasadorin Grenell, si dhe me përfaqësuesin e grupacionit financiar 'Goldman Saks'. Na ndiqni, vazhdojmë me lajme të mira, vazhdojmë me surpriza të këndshme për qytetarët e Maqedonisë dhe për Maqedoninë", tha Mickoski. bsh/

Foto: Fejsbuk

 

 

Остани поврзан