• четврток, 25 декември 2025

Mickoski: BDI-ja dhe Grubi në mbledhje qeveritare rekomanduan heqje të Balancuesit

Mickoski: BDI-ja dhe Grubi në mbledhje qeveritare rekomanduan heqje të Balancuesit

Shkup, 25 dhjetor 2025 (MIA) - Kur BDI ishte në qeveri dhe Artan Grubi ishte nënkryetar i parë, u dha mendim dhe rekomandim për të fshirë veglën Balancuesin, ndërsa unë nuk komentoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pretendimit të deputetes së BDI-së, Rina Ajdari.

Në seancën për pyetje të deputetëve ajo tha se kjo Qeveri e ka hequr veglën për përfaqësim të drejtë dhe se afro dy vjet, siç tha, shqiptarët janë pa drejta të mbrojtura dhe publikohen “konkurse skandaloze” për punësim vetëm të maqedonasve. 

“Dërgimi i gënjeshtrave nga foltorja nuk do t'ju sjellë pikë politike, por do të shkojë më tej në drejtim negativ që nuk është i mirë për ju. Gjithçka që thatë është e pasaktë dhe e pavërtetë. Do të ishte e ndershme dhe e virtytshme të kërkojmë falje nga qytetarët dhe të themi se ne nga BDI morëm një vendim në një seancë qeveritare duke rekomanduar që mjeti Balancues të fshihet, dhe do të ishte e ndershme dhe e virtytshme të themi se të gjithë ata gjykatës në Gjykatën Kushtetuese që morën atë vendim janë gjykatës kushtetues të zgjedhur nga shumica qeveritare e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së ose janë propozim i ish-presidentit të shtetit, zotëri Pendarovski. Kjo është e vërteta që të gjithë qytetarët e respektuar duhet ta dinë. Çdo gjë tjetër është e pavërtetë dhe përpjekje për manipulim të rëndë politik”, tha Mickoski.

Porositi se për të gjithë që vlerësojnë se janë në disavantazh ekzistojnë institucione dhe gjykata dhe gjithnjë e kanë të drejtën e ankesës. 

Kryetari i Qeverisë theksoi se për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv për këtë ligj, ndërsa vendimet e Komisionit të Venecias, sipas metodologjisë së re të aderimit dhe negociimit sipas klasterëve e kërkuar nga ana e Francës, janë vendime të cilat nuk komentohen por zbatohen, sepse janë pjesë e procesit aderues drejt Bashkimit Evropian.

Mickoski iu përgjigj Ajdarit edhe se “nuk do të hyjë në diskutim nëse ai ligj i pëlqen BDI-së ose nuk i pëlqen” dhe theksoi se ai është kryeministër i të gjithë qytetarëve, pa dallim të ndarjeve politike, etnike apo fetare. 

“Si Qeveri, nuk do të tolerojmë keqpërdorimin e zyrave për aktivitete sportive në formën e xhonglimit të topave të futbollit, të lojës së basketbollit ose, si alternativë, vendosjes së dyshekëve të jogës, shtretërve, kalimit të natës në to dhe për të mos përmendur se çfarë tjetër po bëhet në ato zyra. Kjo është deklaruar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nuk do të shkoj asnjë hap më tej dhe nuk do të flas që të mos keqkuptohem. Por, do të më vinte turp po të isha në vendin tuaj, ju jeni zonjë, të mbroni njerëz të tillë. Do të më vinte turp pas gjithçkaje që bëtë atje. Po jua them këtë me përgjegjësinë më të madhe dhe për këtë ka një raport policor”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur deputetes së BDI-së Ajdari. fc/

Foto: Printskrin

 

 

Остани поврзан