• петок, 28 август 2026
MIA Flesh

15:00/ 23 gusht/ 2026

Shkup - Sot, më shumë se kurrë, na duhet unitet, kujdesi për njëri-tjetrin dhe përgjegjësia drejt së ardhmes, porositi kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në festën e ditëlindjes së Komitetit Komunal të Partisë në Koçan.  Siç njoftoi në rrjetet sociale, Mickoski në festën e djeshme ka theksuar se me besim, punë dhe dashuri ndaj Maqedonisë vazhdon ndërtimi i së nesërmes më të mirë.  “Me besim, punë dhe dashuri ndaj Maqedonisë vazhdojmë ta ndërtojmë të nesërmen më të mirë të cilën e meritojnë fëmijët tanë dhe të gjithë qytetarët tanë”, qëndron në kumtesë. 

Shkup - Katastrofë ishte shmangur në fshatin Bonçe të Prilepit, pasi era e fuqishme sot në mëngjes e përhapi zjarrin drejt vendbanimit dhe vija e zjarrit i ishte afruar shtëpive, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.  Sipas Angellovit, zjarri rreth orës 4 ishte lëshuar drejt luginës së fshatit, me çka situata ishte jashtëzakonisht serioze. Në shuarjen e zjarrit ishin angazhuar zjarrfikës vullnetarë nga Manastiri dhe Koçani, ndërsa ishte kërkuar edhe ndihmë nga ekipe nga Prilepi dhe Kavadari.  Në vend ka pasur edhe ekip të Ndihmës Emergjente Mjekësore, sepse gjendja ishte shumë e keqe. Angellovi tha se edhe se disa nga zjarrfikësit vullnetarë nga Manastiri kishin thith tym. 

Shkup- Gjithsej 31 zjarre në vende të hapura janë regjistruar gjatë 24 orëve të kaluara, prej të cilëve tetë janë aktivë, ndërsa 23 janë shuar plotësisht, informoi sot në mëngjes Qendra për Menaxhim me Kriza.

Shkup - Në terren është angazhuar një numër i madh ekipesh dhe forcash për shuarjen e zjarrit në zonën e Paligradit dhe Kitkës, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza.  Në ndërhyrje janë përfshirë tre aeroplanë dhe dy pincgauera të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, një helikopter i MPB-së, ekipet e Brigadës së Mbrojtjes nga Zjarri të Qytetit të Shkupit, si dhe ekipet e Pyjeve Nacionale. Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, aksionin e koordinon drejtpërdrejt nga terreni. Të gjitha ekipet po veprojnë me intensitet të shtuar për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij. Nga QMK informojnë se momentalisht nuk ka rrezik për fshatin Paligrad, as për fshatrat e tjera në zonën e Karshijakës.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë, në rrugë të thata, por intensiteti i komunikacionit jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimin kufitar Tabanocë pritet rreth 40 minuta për hyrje dhe dalje nga shteti, përderisa në VK Bogorodicë koha e pritjes për dalje është rreth 30 minuta. Në vendkalimet e tjera kufitare nuk ka pritje të gjata.  Lidhja Automote e Maqedonisë bën thirrje për drejtim me kujdes me automjetet, shpejtësi të përshtatur dhe respektim të sinjalizimit në komunikacion, veçanërisht në seksionet ku ekziston mundësi për rrëshqitje të dheut. Nga 17 gushti e deri më 1 tetor 2026 është ndryshuar regjimi i komunikacionit para pikëpagesës Preod, për shkak të sanimit të shpatit në autostradën A4, në segmentin Milladinovci - Sveti Nikollë - Shtip.

Shkup - Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e shtetit, nëpunësit policorë privuan nga liria 13 shoferë për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. Prej të arrestuarve, shtatë drejtonin automjet pa patentë shoferi, njëri prej tyre ishte i mitur, ndërsa njëri, përveçse pa patentë shoferi edhe nën ndikimin e alkoolit. Me shpejtësi më të madhe nga e lejuara ka drejtuar automjetin edhe një shtetas i huaj. Ai është privuar nga liria në PKK “Tabanoc”, pasi përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” është konstatuar se drejtonte automjetin me shpejtësi prej 164 kilometrash në orë, në vend ku me shenjë rrugore shpejtësia e lejuar është 80 kilometra në orë.Gjatë kontrolleve, pesë persona drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit, njëri prej të cilëve ishte përfshirë në një aksident trafiku dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Shkup - Një shtetas polak është privuar nga liria në pikën kufitare Tabanocë, pasi është vërtetuar se ai po drejtonte një makinë me shpejtësi prej 164 kilometrash në orë në një pjesë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 kilometra në orë. Siç informoi MPB, dje në orën 7:53, në dalje të shtetit, nëpunësit policorë kanë ushtruar kontroll në një automjet udhëtarësh “Ford”, me targa polake, i drejtuar nga M.J. (46) nga Polonia. Gjatë verfikimit të kryer, përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, është konstatuar se M.J. ishte evidentuar si kryerës i veprës penale sipas nenit 297-A të Kodit Penal – “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”, përkatësisht se e kishte drejtuar automjetin me shpejtësi prej 164 km/h, në vend ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Shkup- Nesër në orët e pasdites pritet paqëndrueshmëri lokale me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fuqishme. Në disa vende do të ketë kushte për paraqitje të motit të ligë, i shoqëruar me erë të fuqishme dhe breshër, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.  Gjatë javës së ardhshme moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm dhe me diell, me vranësira të vogla deri mesatare.

Uilnus- Dy persona humbën jetën, ndërsa furnizimi me energji elektrike është çrregulluar pjesërisht në vendet baltike pas stuhive të fuqishme dhe reshjeve të mëdha të cilat e kapluan rajonin. Shërbimet e shpëtimit nxorën trupin e një burri pas një druri të rënë në fshatin Mazionis të Lituanisë, përderisa një burrë tjetër ka humbur jetën pasi mbi të kishin rënë disa pjesë të një objekti në qytetin letonez Jelgava. Disa persona janë hospitalizuar për shkak të lëndimeve të mara. Më shumë se 250 mijë amvisëri në Lituani përkohësisht mbetën pa energji elektrike, njoftoi operatori kombëtar, ndërsa numër i ngjashëm i amvisërive mbetën pa rrymë edhe në Letoninë fqinje.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski deklaroi se mbajtja e zgjedhjeve në kushte të luftës do të përfaqësonte rrezik të madh për Ukrainën.  Zelenski këtë e deklaroi si koment të thirrjes së ish ministrit të tij të Mbrojtjes, Mihajllo Fedorov, Ukraina të përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve.  “Vlerësoj se në kushte të luftës së tillë, zgjedhjet si të tilla përfaqësojnë rrezik të madh”, tha Zelenski.  Sipas tij, zgjedhjet do të ishin “cunami” që “do ta ndante Ukrainën”, deklaroi presidenti ukrainas në një bisedë me mediat.

Oslo - Norvegjia planifikon që në vitin fiskal 2027 të sigurojë mbështetje të re financiare për Ukrainën në vlerë prej 85 miliardë krona norvegjeze (9,2 miliardë dollarë), njëjtë sa edhe në vitin aktual fiskal 2026, njoftoi Qeveria norvegjeze.  Norvegjia është në mesin e mbështetëseve më të mëdha të Ukrainës, bashkë me vendet e tjera skandinave dhe baltike. Qeveria e kryeministrit, Jonas Gar Stere, përgatiti plan afatgjatë për ndihmë të Kievit, i mbështetur nga të gjitha partitë në Parlamentin norvegjez.  Ndihma e përgjithshme të cilën Norvegjia planifikon ta sigurojë për Ukrainën në periudhën 2023-2030 është 274,5 miliardë krona, gjegjësisht rreth 30 miliardë dollarë. 

Tokio - Të paktën 37 persona janë lënduar në tërmetin me intensitet prej 5,9 ballë i cili sot herët në mëngjes e goditi rajonin rreth Tokios, duke shkaktuar çrregullime në komunikacionin hekurudhor.  Tërmeti ishte regjistruar rreth orës dy sipas kohës lokale, me epiqendër në pjesën jugore të prefekturës Ibaraki jo larg Tokios, në thellësi prej 68 kilometra, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Japonez.  Tërmeti ka shkaktuar çrregullime në komunikacionin hekurudhor në Tokio, pa dëmtime të mëdha materiale. Dëmtim të vogël ka në një ndërtesë në Saitama, në veri të kryeqytetit, ndërsa autoritetet po kontrollojnë nëse plasja e një gypi nga ujësjellësi në Tokio ka lidhje me tërmetin.