9:00/ 19 gusht/ 2026
Ohër – Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot dhe nesër për vizitë zyrtare në vend do të qëndrojë zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Petr Macinka. Në kuadër të vizitës, sot në Ohër do të mbajnë takim dypalësh ministrat Mucunski dhe Macinka, si dhe takim plenar ndërmjet delegacioneve zyrtare të të dy ministrive. Pas takimit dypalësh dhe plenar, ministrat Mucunski dhe Macinka do të mbajnë konferencë të përbashkët për media në Vilën “Ohri”.
Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska do të kryejë mbikëqyrje në zgjerimin me klasa të reja në kuadër të shkollës fillore "Aleksandar Makedonski", në rajonin e qendrës. Në mbikëqyrje do të marrë pjesë edhe kryetari i komunës Aerodrom, Dejan Miteski. Aktivitetet janë të drejtuara në zgjerimin e kapaciteteve hapësinore të shkollës dhe përmirësim të kushteve për realizimin e mësimit për nxënësit.
Shkup- Pa furnizim me ujë sot do të jenë një pjesë e shfrytëzuesve të Komunës Çair dhe lagjes Fushë Tophanë, për shkak të ndërrimit të valvulës F-250mm në rrugën "Xhon Kenedi" udhëkryqi me rrugën "Llazar Trpovski", nga rruga "Llazar Trpovski" dhe lagjes Fushë Tophanë. Siç kumtoi QRMK Shkup pas njoftimit të marrë nga NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi, ndërprerja e furnizimit me ujë do të bëhet prej orës 9 e deri në përfundimin e punimeve.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, nëpër rrugë të thata me intensitet të shtuar në rrugët jashtë zonave urbane. Nuk ka vonesa më të gjata në vendkalimet kufitare për hyrje dhe dalje nga vendi, njofton LAMM. Rekomandohet shpejtësi e adaptuar e lëvizjes, respektim i sinjalistikës së vendosur të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Shkup – Moti sot do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Pasdite në rajonet malore do të ketë rritje të vranësirave dhe kushte për shi afatshkurtër dhe paraqitje të bubullimave të rralla. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej 12 deri 20, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 30 deri 38 gradë. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të bie deri në 17, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 37 gradë.
Kiev – Ish ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Mihaillo Fedorov (35), reformist i shquar shkarkimi i të cilit në korrik shkaktoi demonstrata masive, mbrëmë bëri thirrje për anulim të zgjedhjeve edhe krahas pushtimit rus dhe “kthimin e procesit të plotë demokratik”. “Demokracia nuk mund të jetë peng i Rusisë... Për këtë, duhet të gjejmë mekanizëm ligjor, të sigurt dhe realist i cili do t’i mundësojë Ukrainës që ta kthejë procesin e plotë demokratik madje edhe në mes të luftës afatgjate”, tha Fedorov në fjalimin në YouTube. Fedorov e dënoi “krizën sistematike në menaxhim”, duke i kritikuar institucionet qeveritare për ngadalësim, rezistencë drejt ndryshimeve dhe kulturës e cila “ndonjëherë e favorizon ligjshmërinë para efikasitetit”.
Nju Delhi - Të paktën nëntë persona humbën jetën, ndërsa disa janë lënduar në zjarrin i cili sot në mëngjes shpërtheu në një hotel në Kalkutë, në pjesën verilindore të Indisë, njoftoi një përfaqësues i shërbimit zjarrfikës. Një përfaqësues i shërbimeve zjarrfikëse njoftoi se gjashtë burra, dy gra dhe një fëmijë ishin shpëtuar nga hoteli i djegur dhe ishin dërguar në spital.
Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp kërkon takim para ndihmësve të tij me liderin koreanoverior Kim Xhong – un këtë vjeshtë, publikoi “Uollstrit xhurnal”, duke cituar zyrtarë amerikanë. Trampi ka shqyrtuar opsione për organizimin e takimit sy më sy me Kim Xhong-un gjatë udhëtimit të tij të ardhshëm në Azi, i cili ka mundësi të mbahet në nëntor për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi – Paqësor në qytetin kinez Shenzhen, i cili kufizohet me Hong Kongun, njoftoi gazeta.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp e anuloi vendosjen e doganave prej 50 për qind për mallëra të caktuara nga Kanada, derisa finalizohen dokumentet për marrëveshjen mes dy vendeve. Doganat duhej të hyjnë në fuqi në ora 00:01 sipas kohës lindore amerikane, por Trampi kumtoi se zbatimi i tyre anulohet deri më 21 gusht, njoftoi Si-En-En-i. Trampi tha se është arritur marrëveshje mes SHBA-së dhe Kanadasë, por se ende pritet finalizimi i dokumentacionit. Ai përmendi edhe mundësi për aktivizimin e sërishëm të projektit për gazsjellësin "Keystone XL", por pa dhënë hollësira shtesë.
Nju Jork - Prokurorët federalë amerikanë kanë iniciuar aktakuzë me 14 pika kundër 17 anëtarëve të Institutit iranian Mabna për një fushatë 10-vjeçare të spiunazhit kibernetik. Grupi akuzohet për sulme ndaj qindra institucioneve në mbarë botën që sipas Ministrisë së Drejtësisë, ata vepruan kryesisht me urdhër të Korpusit të Gardës revolucionare të Iranit (IRGC). "Këto aktakuza zbulojnë një rrjet më të gjerë për të cilët besohet se qëndron pas një fushate në shkallë të gjerë të sponsorizuar nga qeveria që synonte vjedhjen e kërkimit dhe pronës intelektuale nga universitetet, kompanitë dhe institucionet qeveritare amerikane", tha prokurori amerikan Xhejmi Mekdonald.
Seul - Koreja e Jugut sot kumtoi se forcat e saj të armatosura dhe forcat amerikane kanë arritur marrëveshje për t'i reduktuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, me kërkesë të Uashingtonit. Manovrat ushtarake vjetore "Ulçi Frido Shild" që filluan të hënën, në vend se deri më 27, do të zgjasin deri më 21 gusht, kumtoi ushtria koreanojugore. Të dy palët kanë arritur marrëveshje që ta reduktojnë edhe vëllimin e një pjese të aktiviteteve të përbashkëta në terren. Presidenti amerikan, Donald Tramp dha urdhër për reduktimin e vëllimit të stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut pak para fillimit të tyre.
Kinshasa – Numri i rasteve të konfirmuara me ebolë në Republikën Demokratike të Kongos tejkaloi 5.000, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik të vendit. Siç është bërë e ditur në raportin më të ri për gjendjen, deri më tani janë regjistruar 5.021 raste, duke përfshirë 2.378 me vdekje. Në ndërkohë, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tierno Balde, deklaroi se epidemia e ebolës në RD Kongo ka mundësi të vihet nën kontroll në afat prej tre muajve nëse sigurohen burimet e nevojshme. OBSH paraprakisht këtë muaj deklaroi se përhapja e ebolës ka mundësi të ndërpritet në afat prej 90 ditëve, por deri më atëherë ka shenja të përkeqësimit të situatës sepse epidemia u përhap në provincën e gjashtë.
Zagreb – Asnjë nga ekipet nuk arriti të sigurojë mbrëmë avantazh pas ndeshjeve të para të raundit të fundit për kualifikim në Ligën e kampionëve. Të tre ndeshjet përfunduan me barazim. Dinamo Zagrebi humbi një avantazh të mirë prej 2:0 që kishte vetëm pas 10 minutash kundër Vikingut të Norvegjisë. Mysafirët barazuan në fund të pjesës së parë, derisa në pjesën e dytë nuk pati gola.