• петок, 28 август 2026
MIA Flesh

12:00/ 7 gusht/ 2026

Shkup- Ministria e Shëndetësisë është njoftuar nga kompania mbajtëse e autorizimit për vendosjen në treg të ilaçit "Foster" i cili gjendet në Listën pozitive të barnave se janë bërë ndryshime në interes të pacientëve që e përdorin këtë ilaç. "Duke filluar nga ky muaj, personat e siguruar do të mund ta marrin përsëri ilaçin në barnatore pa pagesë shtesë, duke paguar vetëm participimin e përcaktuar me ligj për shërbimin e dhënies së barit me recetë. E njëjta vlen edhe për barnat e tjera që përmbajnë përbërësit e njëjtë aktivë dhe përdoren në trajtimin e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK)", thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Shkup - Një banor i Shkupit ka drejtuar automjetin me 3,29 promil alkool në trup dhe ka shkaktuar aksident, ndërsa vijon raport përkatës, njofton MPB-ja. "Dje në orën 17:00 nëpunës policorë të SPB Shkup e privuan nga liria I.A.L. (34) nga Shkupi. Më parë rreth orës 15:10, në rr. 'Prolet' në Shkup, duke drejtuar një automjet udhëtarësh 'Matiz' me targa të Shkupit, ishte përfshirë në aksident rrugor me një automjet udhëtarësh 'Honda', gjithashtu me targa të Shkupit, i drejtuar nga D.P. (20) nga Shkupi, me ç'rast është shkaktuar vetëm dëm material. Gjatë ndërmarrjes së masave dhe shqyrtimit të situatës, nëpunësit policorë kanë konstatuar se I.A.L. ka vozitur nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht iu matën 3.29 promilë alkool në gjak. Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik, ndërsa automjeti është sekuestruar", thonë në MPB.

Tiranë - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski ka shkarkuar ambasadorët e Ukrainës në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi, konform dekretit presidencial të publikuar dje. "Sipas dekretit është tërhequr Volodimir Shkurov nga funksioni ambasador në Shqipëri i cili në këtë detyrë diplomatike ka qenë që nga prilli i vitit 2020. Vasil Kiriliç është tërhequr nga posti i ambasadorit të Ukrainës në Kroaci, si dhe Oleh Herasimenko ambasador i Ukrainës në Mal të Zi", raportojnë mediat e Ukrainës. Në dekretet e publikuara nuk përcaktohen arsyet e ndryshimeve të personelit. Për momentin, nuk janë emëruar ambasadorë të rinj në këto misione diplomatike.

Athinë – Periudha nga dhjetëditëshi i dytë i korrikut deri në dhjetëditëshin e fundit të gushtit është ajo gjatë së cilës kanë ndodhur 23 zjarret më të mëdha pyjore në Greqi që nga viti 2007 e deri më sot, sipas një analize të shërbimit meteorologjik Meteo të Observatorit kombëtar grek, këtë periudhë e potencon si më të rrezikshmen për shpërthimin e zjarreve pyjore, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Përmes analizës së zjarreve gjatë pothuajse 20 viteve të fundit, nga Meteo i janë përgjigjur pyetjes “Cila është periudha më e keqe për shfaqjen e zjarreve pyjore në Greqi?”, duke theksuar se kushtet e motit gjatë këtyre gjashtë javëve, përkatësisht bimësia e thatë, temperaturat e larta dhe erërat e forta, “krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të zjarreve pyjore”.

Londër -  Valët ekstreme të të nxehtit vazhdojnë të godasin Evropën Qendrore dhe Lindore, me rekorde temperaturash të thyera në disa vende, ndërsa thatësirat dhe temperaturat e larta kanë shkaktuar probleme me energjinë dhe kanë rritur rrezikun e zjarreve në pyje, shkruan "Gardijan". Sllovakia, Austria dhe Hungaria kanë regjistruar temperatura rekord. Agjencia hidrometeorologjike sllovake kumtoi se dje në Dolní Plahtince u mat një temperaturë rekord prej 42 gradë Celsius. Në Poloni, autoritetet u detyruan të mbyllnin përkohësisht termocentralet me qymyr Kozienice dhe Polaniec për shkak të niveleve jashtëzakonisht të ulëta të ujit në lumin Visla, gjë që kufizoi disponueshmërinë e ujit për ftohjen e termocentraleve. Kjo hoqi rreth 1,3 gigavat kapacitet nga sistemi elektrik. Kryeministri polak Donald Tusk u bëri thirrje punëdhënësve të mbrojnë punëtorët gjatë valës së të nxehtit dhe të sigurojnë ajër të kondicionuar dhe sasi të mjaftueshme uji të ftohtë.

Kiev- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nesër do ta zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Beograd, njoftoi kabineti i presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Detajet e vizitës nuk janë publikuar, ndërsa Vuçic, duke paralajmëruar ardhjen e presidentit ukrainas, dje u tha gazetarëve se do të bisedojnë për “disa tema”, përfshirë rrugën evropiane të Ukrainës dhe Serbisë. "Po përballemi me të njëjtat probleme gjatë rrugës sonë, ndaj besoj se do të bisedojmë se si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Çështja e dytë është bashkëpunimi ekonomik dypalësh mes vendeve tona, ndërsa e treta është bashkëpunimi ynë në fushën e energjisë. Këto janë tri temat kryesore për të cilat do të bisedojmë, por jam i sigurt se do të prekim edhe çështje të tjera nga fusha të ndryshme", tha Vuçiq.

Meksiko Siti - Ish guvernatori i shtetit federal meksikan të Gereros, Anhel Agire, është arrestuar me dyshimin se ka urdhëruar shkatërrimin e provave që mund të kishin ndihmuar në hetimin për zhdukjen e 43 studentëve nga shkolla e mësimdhënësve Ajocinapa në vitin 2014.  Agire, i cili më herët ka mohuar çdo përfshirje, dyshohet për pengim të drejtësisë dhe zhdukje me forcë, deklaroi prokurorja e shtetit Ernestina Godoj. Zhdukja e 43 studentëve konsiderohet si një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut në historinë e kohëve të fundit të Meksikës. Hetimet ndërkombëtare kanë zbuluar se studentët, të cilët po udhëtonin për në Meksiko Siti për të marrë pjesë në një protestë, u vranë nga anëtarë të grupeve të krimit të organizuar, kishte edhe përfshirje të policisë.

Uashington – Pesë muaj pas fillimit të luftës së SHBA-së me Iranin, rreth 50 për qind e amerikanëve besojnë se vazhdimi i aksionit ushtarak të SHBA-së në Iran do ta destabilizojë Lindjen e Mesme gjatë vitit të ardhshëm, tregojnë rezultatet nga anketa e Ipsos për agjencinë Rojters. Saktë 50 për qind e të anketuarve vlerësojnë se aksioni ushtarak i SHBA-së në Iran do ta destabilizojë Lindjen e Mesme gjatë vitit të ardhshëm, që është rreth tri herë më shumë nga 17 për qind të cilët thanë se lufta do të sjellë qëndrueshmëri më të madhe në rajon. Rreth 16 për qind thanë se qëndrueshmëria do të mbetet afërsisht e njëjtë, ndërsa 17 për qind janë të pavendosur. 

Bankonk - Sulmuesi i armatosur 14-vjeçar, i cili sot hapi zjarr në një shkollë në afërsi të kryeqytetit tajlandez Bangkok, fillimisht qëlloi gjyshin dhe gjyshen e tij në shtëpinë e tyre, para se të nisej drejt shkollës, kumtoi policia tajlandeze.  Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë së Tajlandës, të publikuara nga Bi-Bi-Si, bilanci i viktimave nga të shtënat është tetë, në të cilat një nxënës i klasës së nëntë, rreth 14 vjeç, vrau pesë mësues në shkollë dhe lëndoi të paktën 15 persona, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike, përfshirë edhe nxënës, përpara se të kryente vetëvrasje. Sipas policisë, pistoleta prej nëntë milimetrashe që ai përdori i përkiste gjyshit të tij. Policia kumtoi se sulmuesi qëlloi 26 plumba gjatë sulmit, publikuan mediat britanike.

Uashington - Agjencitë amerikane të inteligjencës në raportin e tyre të fundit pretendojnë se presidenti rus Vlladimir Putin mund të tentojë të testojë vendosmërinë e NATO-s me një sulm të kufizuar ndaj njërit prej shteteve anëtare të saj në vitet e ardhshme. Skenarët e mundshëm përfshijnë sulme kibernetike, sabotim ose një invazion të vogël tokësor, në vend të një invazioni të madh, raporton "Uolstrit xhurnal", publikon "Independent". Vlerësimet, të përshkruara nga zyrtarët amerikanë, vijnë në kushte të mungesës së municioneve kritike që ushtria amerikane do të kishte nevojë për t'u përballur me Rusinë ose Kinën në një luftë të mundshme në të ardhmen, kryesisht sepse SHBA-ja ka zvogëluar në mënyrë drastike rezervat e armëve të tilla për shkak të transferimeve në Ukrainë pas invazionit rus, si dhe konfliktit me Iranin.

Buenos Aires – Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino ka marrë mbështetje të rëndësishme për mandatin e tij të ri. Federata e Futbollit të Argjentinës (AFA) ka dërguar një letër zyrtare duke vlerësuar punën e tij deri më tani, por edhe disa gabime. Infantino po përballet me presion të madh për mandatin e ri në krye të FIFA-s, veçanërisht pasi disa konfederata kanë shprehur pakënaqësi me punën e tij. Federata e Futbollit të Argjentinës në letrën e saj thekson se FIFA ka bërë përparim në dekadën e fundit. Megjithatë, ata nuk kanë harruar të vënë në dukje problemet që lindën pas Kampionatit botëror dhe idesë së Infantinos. Ata gjithashtu mirëpritën lëvizjen e Infantinos për të braktisur idenë. AFA vlerëson se transparenca dhe qeverisja e përgjegjshme janë çelësi i besimit midis FIFA-s, Federatave kombëtare dhe konfederatave.