Mexhiti: Drunjtë nga kampusi i Universitetit “Nënë Tereza” do të rimbillen në parkun e ri “Rilindja” në Çair
- Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, vuri në pah se krahas investimeve dhe projekteve infrastrukturore në komunë, rëndësi e veçantë po i kushtohet edhe ruajtjes së natyrës dhe shtimit të hapësirave të gjelbra.
Shkup, 14 mars 2026 (MIA) - Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, vuri në pah se krahas investimeve dhe projekteve infrastrukturore në komunë, rëndësi e veçantë po i kushtohet edhe ruajtjes së natyrës dhe shtimit të hapësirave të gjelbra.
Siç kumtoi Komuna e Çairit, drunjtë që ndodhen në hapësirat ku do të ndërtohet kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza” nuk do të humbin, por do të zhvendosen dhe do të rimbillen në parkun e ri “Rilindja” në Çair, duke marrë një jetë të re në një hapësirë që do t’u shërbejë qytetarëve.
“Zhvillimi urban duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e natyrës. Për këtë arsye, drunjtë që ndodhen në hapësirën e kampusit do të rimbillen në parkun ‘Rilindja’, ku do të vazhdojnë të kontribuojnë në gjelbërimin dhe cilësinë e jetës në Çair,” tha Mexhiti.
Në fazën e parë do të rimbillen rreth 40 drunj, ndërsa procesi do të vazhdojë edhe në vijim, me qëllim që parku i ri të zgjerohet dhe të rritet numri i sipërfaqeve të gjelbra në komunë. bsh/
Foto: MIA arkiv