Meksikë: 74 të vrarë në dhunën në vrasjen e narko-bosit "El Menço"
- Të paktën 74 persona janë vrarë në Meksikë, përfshirë 25 anëtarë të Gardës kombëtare, në operacionin që vrau liderin e kartelit "El Menço" dhe në dhunën që pasoi, deklaroi mbrëmë ministri i Sigurisë, Omar Garsia Harfuç.
Meksiko Siti, 24 shkurt 2026 (MIA) - Të paktën 74 persona janë vrarë në Meksikë, përfshirë 25 anëtarë të Gardës kombëtare, në operacionin që vrau liderin e kartelit "El Menço" dhe në dhunën që pasoi, deklaroi mbrëmë ministri i Sigurisë, Omar Garsia Harfuç.
Trupat qeveritare u përpoqën të arrestonin bosin e drogës, emri i plotë i të cilit është Nemesio Oseguera Servantes, të dielën në shtetin perëndimor Halisko. Oseguera u plagos dhe vdiq ndërsa transportohej me aeroplan në Meksiko Siti, gjë që shkaktoi një reagim të dhunshëm nga karteli.
Anëtarë të dyshuar të kartelit të Osegueras, "Gjenerata e re e Haliskos" (CJNG), kanë djegur vetura në disa shtete dhe kanë bllokuar rrugë të shumta. Ata gjithashtu kanë sulmuar banka, stacione benzine dhe dyqane.
Sipas qeverisë, situata u vu nën kontroll dje, raportoi DPA.
"Meksika është e qetë. U zgjuam pa bllokada rrugore dhe të gjitha aktivitetet kanë rinisur", tha presidentja meksikane Klaudia Shejnbaum.
Kaosi ka ngritur shqetësime në lidhje me aftësinë e Meksikës për të bashkëorganizuar Kupën e Botës që do të zhvillohet në qershor. Janë planifikuar të luhen gjithsej 13 ndeshje në Meksiko Siti, Guadalahara dhe Monterej, ndërsa pjesa tjetër do të zhvillohet në SHBA dhe Kanada.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolyn Levit, deklaroi se SHBA-ja i kishin "dhënë mbështetje inteligjence qeverisë meksikane", duke e përshkruar udhëheqësin e kartelit si "një objektiv kryesor të qeverive meksikane dhe amerikane, si një nga trafikantët më të mëdhenj të fentanilit në atdheun tonë".
Shejnbaum theksoi se vetëm forcat meksikane ishin të përfshira në operacion. mb/
Foto: DPA