Mbi 160 mësimdhënës në 80 shkolla trajnohen për mësim të fëmijëve që janë në mjekim
- Me konferencë të organizuar sot nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Shoqata SANO u shënua fundi i gjysmëvjetorit të parë për fëmijët që ndoqën mësimin onlajnë për shkak se janë në spital ose në mjekim më të gjatë në shtëpi. Aktualisht, 35 fëmijë janë të përfshirë pasi nga 1 shtatori ligjërisht u mundësua futja e arsimit formal në institucionet shëndetësore.
Shkup, 26 dhjetor 2025 (MIA) – Me konferencë të organizuar sot nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Shoqata SANO u shënua fundi i gjysmëvjetorit të parë për fëmijët që ndoqën mësimin onlajnë për shkak se janë në spital ose në mjekim më të gjatë në shtëpi. Aktualisht, 35 fëmijë janë të përfshirë pasi nga 1 shtatori ligjërisht u mundësua futja e arsimit formal në institucionet shëndetësore.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se me përfundimin e gjysmëvjetorit të parë, "mund të themi me kënaqësi se kemi një procedurë të suksesshme dhe sistematike që mund të ishte zbatuar edhe më herët".
"Në këtë moment pretendojmë se është korigjuar një padrejtësi dhe diskriminim i madh ndaj fëmijëve me sëmundje kronike dhe malinje që mungojnë në shkollë për më shumë se tre javë. Më në fund, së bashku me Shoqatën SANO, arritëm t'i përfshijmë edhe ata në mësimdhënie", tha Janevska.
Theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për njohuritë që këta fëmijë do të fitojnë gjatë orës së mësimit, por më e rëndësishmja është pranimi nga bashkëmoshtarët e tyre dhe nga e gjitha klasa.
"Duke ndarë emocione, momente sociale, dhe trishtim, dhe gëzim, duke ndarë përvoja ndërmjet tyre. Dhe nga këtu mendoj se mund të themi se jemi të suksesshëm. SANO trajnoi 166 mësues në 83 shkolla në shtatë komuna, ndërsa më shumë se 800 fëmijë morën pjesë në trajnimet se si të komunikojnë me shokët e tyre të sëmurë", theksoi Janevska.
Shoqata SANO, e cila ndihmon fëmijët e sëmurë nga kanceri dhe prindërit e tyre, tashmë 10 vite ka qenë iniciatore që këto fëmijë të ndjekin mësimet dhe kryetarja Marija Vuk theksoi se më në fund MASH ju doli në ndihmë.
"Pas një dekade përpjekjesh, kemi arritur në këtë pikë, falë MASH-it dhe ministres së Arsimit, të gjithë fëmijët që janë në pushim mjekësor kanë mundësinë të mësojnë. Bëhet fjalë për mësimdhënien onlajn dhe asnjë fëmijë nuk do të përjashtohet nga mësimdhënia", tha Vuk.

Drejtoresha e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Milka Trimçevska, theksoi se Byroja kishte një "sfidë të madhe për të bërë hapa historikë" duke punuar në një dokument formal që do të përfshijë në mësimdhënie nxënësit që janë në mjekim më të gjatë.
"Thashë një dokument formal, por ky është më tepër një mjet që duhet të zbatohet në proces në terren dhe ne besojmë se kemi bërë një hap të madh të përbashkët falë MASH-it, Ministres së Arsimit dhe Shkencës, natyrisht faktorit kryesor SANO - i cili dha kontributin e tij në mënyrë që të mund të zhvillohemi", tha Trimçevska.
Shtoi se BZHA do të vazhdojë të ofrojë mbështetje këshillimore në mënyrë që mësuesit të mund të aftësohen dhe forcojnë kompetencat e tyre, dhe që asnjë fëmijë të mos lihet jashtë procesit arsimor.
Një ekip ekspertësh nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe OJQ-ja SANO, gjatë gjysmës së parë të vitit, hartuan gjithashtu një manual për mësuesit që punojnë me fëmijë të sëmurë.
Manuali përmban hapa specifikë për integrimin me sukses në mësimdhënie të nxënësve që mungojnë në klasë për më shumë se tre javë për arsye shëndetësore. ls/
Foto: MIA