Limani: Bejta po premton projekte që tashmë i kam nisur në Gostivar
- Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka deklaruar sonte në emisionin “Click Plus” në TV 21 se kundërkandidati i tij, Nevzat Bejta, po flet dhe po premton projekte të cilat tashmë janë të aprovuara ose kanë filluar të realizohen nga administrata aktuale komunale.
Shkup, 25 dhjetor 2025
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka deklaruar sonte në emisionin “Click Plus” në TV 21 se kundërkandidati i tij, Nevzat Bejta, po flet dhe po premton projekte të cilat tashmë janë të aprovuara ose kanë filluar të realizohen nga administrata aktuale komunale.
Sipas Limanit, Bejta në takimet me strukturat e veta po përsërit projekte që tashmë janë pjesë e programit dhe platformës së AKI-së dhe për të cilat është punuar me përkushtim gjatë 18 muajve të fundit.
“Më treguan se Nevzat Bejta i përsërit projektet e mia në takime me strukturat e veta. Bëhet fjalë për projekte që tashmë i dimë, janë të gatshme dhe janë në programin tonë. Patjetër që duhet të dalë me diçka dhe të thotë se do të bëjë diçka, për projekte për të cilat ne kemi punuar me shumë përkushtim,” deklaroi Limani.
Ai bëri të ditur se gjatë 18 muajve sa ka ushtruar detyrën janë aprovuar mbi 60 projekte, një pjesë e të cilave janë gati për realizim, ndërsa disa tashmë kanë filluar.
“Kemi pasur mbi 60 projekte të aprovuara për 18 muaj. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë të gatshme dhe do të fillohet me punë në pranverë, ndërsa disa veçmë kanë filluar,” tha Limani.
Si shembull konkret, Limani përmendi hapjen e rrugës së re që lidh fshatrat Çajlë, Forinë dhe Çegran me qytetin e Gostivarit, projekt që sipas tij është në vijim e sipër dhe ka rëndësi të veçantë për tre fshatrat në fjalë.
“Njëri prej projekteve më të rëndësishme është hapja e rrugës ndërmjet Çajlës dhe Forinës, e cila lidhet deri në Gostivar. Ajo tashmë është në vijim e sipër. Më thanë se Bejta qenka lavdëruar se do ta hapë atë rrugë, por nuk qenka i informuar mirë dhe nuk ka qenë në Gostivar, sepse ajo rrugë tashmë po hapet dhe punohet në realizimin e saj,” theksoi Limani.
Ai shtoi se kjo rrugë ka qenë e premtuar për 20 deri në 30 vite dhe se më në fund ka filluar të realizohet.
Limani përmendi gjithashtu edhe projekte të tjera që janë në fazë realizimi, përfshirë bulevardin kryesor “Vëllezërit Gjinoski”, si dhe projekte të shumta infrastrukturore në të gjithë territorin e Komunës së Gostivarit.
Sipas tij, kundërkandidati Nevzat Bejta po përpiqet të përvetësojë projekte që tashmë janë në proces, përfshirë edhe zgjerimin e urës mbi lumin Vardar në afërsi të Gjykatës dhe hapjen e rrugëve të reja, duke theksuar se qytetarët e Gostivarit janë dëshmitarë të punëve që tashmë kanë filluar në terren.
Limani prezanton projektet e realizuara dhe vizionin për mandatin e ri: Ne flasim me punë, tjerët me shpifje
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka prezantuar sonte në emisionin “Click Plus” në TV 21 projektet e realizuara gjatë 18 muajve sa ka ushtruar detyrën, si dhe prioritetet kryesore për mandatin e ardhshëm, duke theksuar se zhvillimi i Gostivarit duhet të matet me punë konkrete e jo me manipulime dhe shpifje.
Limani tha se gjatë kësaj periudhe janë realizuar dhe janë në proces një numër i madh projektesh infrastrukturore dhe sociale, që sipas tij, janë të dukshme për qytetarët.
“Kemi pasur shumë projekte në Gostivar. Këto 18 muaj sa unë ushtroja detyrën kemi punuar duke filluar nga bulevardi ‘Goce Dellçev’, i cili u rikonstrua tërësisht. Kemi filluar edhe rikonstruimin e bulevardit më të madh ‘Vëllezërit Gjinoski’, i cili është ende në vijim,” deklaroi Limani.
Ai sqaroi se paralelisht me këtë projekt është realizuar edhe eksproprimi i një shtëpie për zgjerimin e segmentit pranë Komunës së Gostivarit, me ç’rast bulevardi pritet të hapet me katër korsi deri në pranverë.
“Besoj që deri në pranverë do ta hapim këtë segment si bulevard me katër korsi,” u shpreh Limani.
Sipas tij, asfaltimi i rrugëve është realizuar pothuajse në të gjitha fshatrat e komunës, ndërsa për vitin e ardhshëm janë të gatshme projekte të reja me të gjitha procedurat e përfunduara.
Limani vuri theks të veçantë edhe në investimet sociale, duke përmendur financimin e plotë nga Komuna të dy qendrave rinore iCan dhe YCC.
“Këto qendra fillimisht janë financuar nga ambasada dhe organizata të ndryshme, ndërsa tani ka gati një vit e gjysmë që financohen tërësisht nga Komuna e Gostivarit,” tha ai.
Po ashtu, ai përmendi bashkëpunimin me shoqatën e prindërve për autizëm dhe mbështetjen e qendrës “Blue Puzzle”, të cilën e cilësoi si një nga qendrat më të mira për autizëm në rajon.
“Kjo qendër ndihmohet edhe nga Komuna edhe nga Ministria e Punës,” theksoi Limani.
Në listën e projekteve të realizuara, Limani përmendi edhe rikonstruimin e katër terreneve sportive, ndërtimin e një parku të ri me terren sportiv dhe kënd lojërash, ndërtimin e një këndi tjetër të madh lojërash, si dhe shëtitoret e reja në të dy anët e lumit Vardar.
Duke folur për mandatin e ardhshëm, Limani tha se një nga prioritetet kryesore është ndërtimi i urës mbi lumin Vardar, pranë Gjykatës, për të cilën procedurat janë drejt përfundimit.
“Besoj se në bashkëpunim me qytetarët që kanë prona do të arrijmë marrëveshje për hapjen e bulevardit kryesor në një segment ku duhet të zgjidhim çështjen e eksproprijimit,” tha ai.
Ai përmendi gjithashtu si projekte strategjike ndërtimin e parkingut nëntokësor në afërsi të Komunës së Gostivarit dhe transformimin e sheshit të qytetit, si dhe vazhdimin e investimeve në rrugë, kanalizime fekale dhe atmosferike, ujësjellës dhe infrastrukturë tjetër bazike.
“Këta janë projektet e platformës sonë dhe për këto projekte ne kemi folur tashmë,” përfundoi Limani.
Deklaratat e Limanit vijnë në kontrast me qasjen e kundërkandidatit të tij Nevzat Bejta, i cili sipas Limanit merret me mashtim dhe shpifje, ndërsa ai vetë dhe ekipi i tij flasin me projekte konkrete dhe punë të realizuara për qytetarët e Gostivarit.
Limani: Kandidatura e Nevzat Bejtës nga VLEN nënçmim për votuesit e Gostivarit
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, e ka cilësuar kandidaturën e Nevzat Bejtës nga koalicioni VLEN për zgjedhjet e përsëritura më 11 janar si një mesazh shumë të keq për qytetarët e Gostivarit. Duke folur në emisionin “Clic Plus” në TV 21, Limani tha se kjo kandidaturë përbën përbuzje jo vetëm ndaj votuesve, por edhe ndaj anëtarëve dhe kandidatëve të vetë koalicionit VLEN.
Sipas Limanit, VLEN ka anashkaluar figura të tjera politike, përfshirë kandidatin e raundit të parë Sebaedin Dauti, si dhe Fadil Xhelilin, i besuari i Qeverisë në komunën e Gostivarit.
“Kandidimi i zotëri Bejta, po të mos ishte qesharak do të ishte tragjik për shoqërinë tonë. Për fat të keq, koalicioni VLEN dhe krerët e tij vendosën që të dërgojnë një mesazh shumë të keq, do të kisha thënë një përbuzje ndaj të gjithë qytetarëve të Gostivarit e mbi të gjitha ndaj anëtarëve të vet koalicionit, por edhe ndaj kandidatëve potencialë, sikurse kandidati në raundin e parë, zotëri Sebaedin Dauti, por edhe zotëri Fadil Xhelili, i cili është i besuari i Qeverisë në komunën e Gostivarit.”
Limani u shpreh kritik edhe ndaj historikut zgjedhor të Nevzat Bejtës, duke theksuar se ai po garon për herë të gjashtë dhe se, sipas tij, në shumicën e rasteve ka pësuar humbje.
“Për zotëri Bejta nuk ka se çfarë të flitet. Paramendoni, garon për të gjashtën herë, prej të cilave praktikisht pesë herë ka humbur. Pse e them ashtu? Sepse në vitin 2005, në raundin e dytë, atë kohë PDSH e ka tërhequr kandidaturën dhe kështu ai e ka fituar mandatin. Më 2009 e ka humbur garën. Në vitin 2013 ka pasur një inxhinjering për të cilin e di i gjithë qyteti se si ka ndodhur. Edhe në vitin 2017, edhe në 2021 gjithashtu ka pësuar disfata. Më tepër se kaq s’ka se çka të flitet. I uroj shëndet dhe sukses në garë, por mendoj se me të do të kemi një teatër, një shou, pasi ai është një personalitet që zbavit masën.”
Në të njëjtën paraqitje televizive, Limani tha se në zgjedhjet e përsëritura më 11 janar pret të konfirmojë rezultatin e raundit të parë të mbajtur më 19 tetor, ku kishte marrë rreth 17 mijë vota, madje duke shprehur bindjen se ky rezultat mund edhe të rritet.
Limani: Punëtorët e “Komunalec” janë pa sigurim shëndetësor që nga viti 2005, problemi nis nga mandati i parë i Bejtës
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka sqaruar sonte në emisionin “Clic Plus” në TV 21 çështjen e sigurimit shëndetësor për punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec”, duke hedhur poshtë pretendimet e Nevzat Bejtës se administrata aktuale i ka lënë ata pa sigurim shëndetësor.
Limani theksoi se është e vërtetë që punëtorët e “Komunalec” nuk kanë sigurim shëndetësor funksional, por ky problem, sipas tij, daton që nga viti 2005, respektivisht nga mandati i parë i Nevzat Bejtës si kryetar komune.
“Po, është e vërtetë se punëtorët e Ndërmarrjes komunale ‘Komunalec’ janë pa sigurim shëndetësor. Ata janë pa sigurim shëndetësor, nëse nuk gaboj, që nga viti 2005, pra nga mandati i parë i Nevzat Bejtës. Ky problem në vazhdimësi nuk është zgjidhur,” deklaroi Limani.
Ai sqaroi se edhe pse sigurimi shëndetësor për këta punëtorë paguhet, për shkak të borxheve të akumuluara ata nuk mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre në institucionet shëndetësore.
“Kemi tentuar me Fondin për Sigurim Shëndetësor të bëjmë ndonjë marrëveshje për shlyerjen e borxhit, me qëllim që këta punëtorë të kenë sigurim shëndetësor. Në fakt, atyre u paguhet sigurimi shëndetësor, por nuk mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre në institucionet shëndetësore,” theksoi Limani.
Sipas tij, administrata aktuale ka përgatitur një plan konkret për zgjidhjen e këtij problemi, i cili kërkon bashkëpunim edhe me vetë punëtorët e ndërmarrjes.
“Kemi një plan edhe për këtë dhe besoj se, në bashkëpunim me të gjithë punëtorët në NPK ‘Komunalec’, do të arrijmë që për një mandat ta mbyllim këtë çështje. Me këtë, këta punëtorë do ta gëzojnë plotësisht të drejtën e sigurimit shëndetësor,” u shpreh Limani.
Ai shtoi se problemet me borxhet dhe sigurimin shëndetësor në këtë ndërmarrje publike janë trashëguar për gati dy dekada dhe nuk janë zgjidhur nga udhëheqjet e mëparshme.
“Ndërmarrja në fjalë këtë problem e ka diku rreth 20 vite dhe nuk është zgjidhur. Është një problem goxha i madh për t’u zgjidhur, por besoj që gjatë mandatit të ardhshëm do të gjejmë zgjidhje për t’u dalë në ndihmë këtyre punëtorëve,” përfundoi Limani.
Këto deklarata të Limanit vijnë si kundërpërgjigje ndaj Nevzat Bejtës, i cili kohë më parë kishte akuzuar administratën aktuale se ka lënë punëtorët e “Komunalec” pa sigurim shëndetësor, ndërsa sonte u bë e qartë se ky problem ekziston që nga viti 2005, kur Bejta ishte në mandatin e tij të parë si kryetar i Komunës së Gostivarit.
Aleanca Kombëtare për Integrim