• четврток, 25 декември 2025

Le të vendosë Gjykata Kushtetuese - thotë Mickoski për parashtresën e LSDM-së mbi Rezolutën për emigrantët

Le të vendosë Gjykata Kushtetuese - thotë Mickoski për parashtresën e LSDM-së mbi Rezolutën për emigrantët

Shkup, 19 dhjetor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar parashtresën e paraqitur nga LSDM për Rezolutën e votuar që dënon manipulimet e opozitës dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm, theksoi se nuk do t'i komentojë dhe se do ia lë Gjykatës Kushtetuese të marrë vendim për këtë iniciativë.

"Nuk kam koment. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese është këtu. Gjykata Kushtetuese është ajo që duhet të marrë vendim për iniciativën e LSDM-së. Më vjen shumë keq që LSDM nuk ishte brenda Kuvendit për të votuar Rezolutën me të cilën do të angazhoheshim bashkërisht se çdo Qeveri që do të jetë në Maqedoni nuk do të lejojmë ndërtimin e kampeve të emigrantëve, se nuk do lejojmë pranimin e asnjë lloj emigrantësh ose aplikimeve të pasuksesshme për azil që janë rezultat i çdo marrëveshje dhe çdo politike. Ata vendosën të kalkulojnë dhe lëshuan sallën. Shpreh keqardhje, sepse më parë ata zhvilluan një fushatë të rreme se jemi pajtuar për diçka për të cilën nuk kishim rënë dakord. Ja, le të vendosë Gjykata Kushtetuese. Unë nuk komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E kam thënë këtë shumë herë në të kaluarën", ka thënë Mickoski pasi vizitoi fabrikën e Alkaloidit SHA Shkup.

LSDM-ja deri te Gjykata Kushtetuese inicioi parashtresë për prishjen e rendit ligjor pasi shumica qeveritare në Kuvend miratoi një “Rezolutë që dënon manipulimet e opozitës dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm”.

Kuvendi pardje miratoi Rezolutën që dënon manipulimet e opozitës dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm, të paraqitur nga shumica parlamentare. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, theksoi më pas se shumica parlamentare dhe Qeveria kanë një politikë të qartë dhe të pandryshueshme kundër migrimit të paligjshëm dhe se ndërtimi i kampeve të emigrantëve ose strehimi i përhershëm i emigrantëve në vend nuk është kërkuar kurrë, as nuk do të lejohet. Sipas tij, Rezoluta i jep fund spekulimeve dhe dezinformatave që krijojnë frikë dhe pasiguri tek qytetarët.

Остани поврзан