KS i KB-së do të mbajë mbledhje për ndërprerje të zjarrit në Gazë para mbledhjes së parë të Bordit të paqes
- Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot do të mbajë mbledhje të nivelit të lartë për marrëveshjen për ndërprerje të zjarrit në Gazë dhe përpjekjet e Izraelit për ta zgjeruar kontrollin në Bregun perëndimor, para largimit të liderëve botërorë në Uashington, ku do të bisedojnë për të ardhmen e territoreve palestineze në mbledhjen e parë të Bordit të paqes të presidentit amerikan, Donald Tramp.
Nju-Jork, 18 shkurt 2026 (MIA) - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot do të mbajë mbledhje të nivelit të lartë për marrëveshjen për ndërprerje të zjarrit në Gazë dhe përpjekjet e Izraelit për ta zgjeruar kontrollin në Bregun perëndimor, para largimit të liderëve botërorë në Uashington, ku do të bisedojnë për të ardhmen e territoreve palestineze në mbledhjen e parë të Bordit të paqes të presidentit amerikan, Donald Tramp.
Mbledhja e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork fillimisht u caktua për nesër, por u zhvendos pasi që Trampi e paralajmëroi takimin e Bordit të tij të paqes për datën e njejtë, sepse u bë e qartë se kjo do t'i komplikojë planet për udhëtim të diplomatëve të cilët kanë ndër mend të marrin pjesë në të dy nfjarjet.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me atë se çka pret nga dy takimet e njëpasnjëshme këtë javë, ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Rijad Mansur, tha se palestinezët presin që komuniteti ndërkombëtar ta ndalojë Izraelin dhe t'i japë fund përpjekjeve të tij të paligjshme për aneksim, qoftë në Uashington apo në Nju-Jork.
Pritet që ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe, Izraelit, Jordanisë, Egjiptit dhe Indonezisë, mes të tjerëve, do të marrin pjesë në takimin mujor të Këshillit të Sigurimit për Lindjen e afërt, të cilin e përbëjnë 15 anëtarë, pasi që një numër vendesh arabe dhe islamike javën e kaluar bënë thirrje për të diskutuar mbi situatën në Gazë dhe projektin kontrovers të vendbanimeve izraelite në Bregun perëndimor të pushtuar, përpara se të nisen drejt Uashingtonit.
Bordi me të cilin kryeson Trampi fillimisht ishte paramenduar si një grup i vogël udhëheqësish botërorë për të mbikëqyrur planin e tij prej 20 pikash për të ardhmen e Gazës. Deri më tani, më shumë se 20 vende kanë pranuar një ftesë për t'u bashkuar me Bordin, ndërsa partnerët e ngushtë të SHBA-së, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe të tjerë, kanë vendosur të mos i bashkohen akoma dhe kanë përsëritur mbështetjen e tyre për Kombet e Bashkuara, të cilat po përballen gjithashtu me reforma të mëdha dhe shkurtime financash.
Foto: МIА arkivi