Kremlini: Lufta është shndërruar në konflikt me të gjithë Perëndimin, por dera për negociata mbetet e hapur
- Kremlini sot kumtoi se vendimi i vendeve perëndimore për të ndërhyrë në Ukrainë e ka shndërruar konfliktin në një konfrontim shumë më të gjerë.
Moskë, 24 shkurt 2026 (MIA) - Kremlini sot kumtoi se vendimi i vendeve perëndimore për të ndërhyrë në Ukrainë e ka shndërruar konfliktin në një konfrontim shumë më të gjerë.
Duke folur saktësisht katër vjet pasi dhjetëra mijëra ushtarë rusë hynë në Ukrainë me urdhër të Presidentit Vladimir Putin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se luftimet vazhdojnë, por Moska mbetet e hapur për të arritur qëllimet e saj përmes rrugës politike dhe diplomatike.
“Pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të vendeve të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së në këtë konflikt, operacioni ushtarak special de fakto u shndërrua në një përballje shumë më të gjerë midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, të cilat kishin dhe ende kanë qëllim shkatërrimin e shtetit tonë”, tha zëdhënësi i Kremlinit.
Në pyetjen nëse Moska beson se konflikti mund të zgjidhet përmes negociatave, Peskov u përgjigj: "Ne po vazhdojmë përpjekjet tona për të arritur paqen dhe qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe konsistent. Tani gjithçka varet nga veprimet e regjimit në Kiev."
Peskov shtoi se nuk mund të thotë se kur dhe ku do të zhvillohej raundi i ardhshëm i bisedimeve midis Moskës dhe Kievit, pasi marrëveshja për të nuk ishte finalizuar ende. "Shpresojmë sinqerisht që kjo punë do të vazhdojë", përfundoi ai. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s