Ahmeti kërkon zgjedhjen e qeverisë me Badenter dhe shumicë të dyfishtë edhe në Gjykatën Kushtetuese
- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në Kongresin e sotëm të partisë në Shkup paralajmëroi "Marrëveshje të re nacionale për progres" dhe bëri thirrje për veting të plotë me mbikëqyrje ndërkombëtare për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 34 vitet e fundit. Ahmeti gjithashtu propozoi futjen e një "Badenteri ekzekutiv" gjatë zgjedhjes së Qeverisë, zbatimin e parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese dhe fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal.
Shkup, 20 dhjetor 2025 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në Kongresin e sotëm të partisë në Shkup paralajmëroi "Marrëveshje të re nacionale për progres" dhe bëri thirrje për veting të plotë me mbikëqyrje ndërkombëtare për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 34 vitet e fundit. Ahmeti gjithashtu propozoi futjen e një "Badenteri ekzekutiv" gjatë zgjedhjes së Qeverisë, zbatimin e parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese dhe fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal.
Lideri i BDI-së theksoi se iniciativat kanë për qëllim forcimin e karakterit unitar të shtetit përmes partneritetit të barabartë të të gjitha komuniteteve, forcimin e besimit në institucione dhe sigurimin e një shteti të qëndrueshëm, funksional dhe të drejtë.
"Shteti unitar i Maqedonisë së Veriut mund të jetë funksional dhe i qëndrueshëm vetëm nëse mbështetet mbi besimin dhe lojalitetin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në të. Në këtë drejtim, propozojmë tre masa kyçe që garantojnë përfaqësim të drejtë, barazi funksionale dhe kohezion shoqëror në frymën e Marrëveshjes së Ohrit: Zgjedhja e Qeverisë me shumicë të dyfishtë (Badenteri ekzekutiv); Çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo shumicë. Kjo do të sigurojë që qeveria të gëzojë legjitimitet të dyfishtë dhe të jetë realisht përfaqësuese për të gjitha etnitë", ka thënë Ahmeti.
Kjo, sipas tij, do të mundësojë Qeveria të gëzojë legjitimitet të dyfishtë dhe të paraqesë realisht të gjitha komunitetet. "Ky mekanizëm siguron legjitimitet të dyfishtë demokratik dhe garanton përfaqësim real të të gjitha komuniteteve etnike, si dhe ruajtjen e kohezionit ndëretnik në nivelet më të larta të pushtetit ekzekutiv", ka thënë Ahmeti.

Si masë të dytë, lideri i BDI-së, opozitare ka theksuar zbatimin e Parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese.
"Ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend (në bazë të parimit të Badenterit), nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve. Propozojmë ndryshime që do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve joshumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës", ka thënë Ahmeti.
Masa e tretë është thellimi i decentralizimit dhe vetëqeverisjes lokale, apo siç tha "pavarësi financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale, përmes një skeme të drejtë të kthimit të tatimeve dhe taksave në komunat ku ato grumbullohen".
Në pjesën e sundimit të ligjit, Ahmeti deklaroi se BDI mbështet idenë e një hetimi të plotë mbi origjinën e pronës, privatizimin dhe veprimet e shërbimeve të sigurisë nga viti 1945 deri më sot, duke theksuar se "drejtësia nuk duhet të jetë selektive".
Paralajmëroi se propozimi i tyre për një "Marrëveshje nacionale për progres" do të bashkonte të gjitha komunitetet dhe ekspertët për një vizion të përbashkët të shtetit "në të cilin dinjiteti është i garantuar dhe ëndrrat janë të arritshme".
Në fund të fjalimit të tij, Ahmeti u bëri thirrje të rinjve, grave, profesionistëve dhe diasporës që të angazhohen aktivisht në, siç tha, procesin e ndërtimit të një të ardhme evropiane, sepse "e ardhmja nuk ndërtohet me përçarje, por me barazi, jo me eksperimente, por me përgjegjësi".
Në Kongres, partia miratoi katër rezoluta - për forcimin e karakterit unitar të shtetit dhe konsolidimin e barazisë funksionale, sundimin e ligjit, gjyqësor të pavarur dhe rivendosjen e besimit në institucione, marrëveshje nacionale për progres dhe zhvillim të qëndrueshëm të shtetit dhe integrimin evropian.
Foto: MIA