KE-ja kërkon përgjigje të koordinuar të krizës energjetike për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit
- Komisioni Evropian sot u ka bërë thirrje vendeve-anëtare që të përgatiten në kohë dhe në mënyrë të koordinuar për të siguruar furnizime të sigurta me naftë dhe për të shmangur masat që mund të rrisin konsumin e karburantit.
Bruksel, 31 Mars 2026 (MIA) - Komisioni Evropian sot u ka bërë thirrje vendeve-anëtare që të përgatiten në kohë dhe në mënyrë të koordinuar për të siguruar furnizime të sigurta me naftë dhe për të shmangur masat që mund të rrisin konsumin e karburantit.
"Siguria e furnizimit të Bashkimit Evropian mbetet e garantuar. Por ne duhet të jemi të përgatitur për ndërprerje potencialisht afatgjata në tregtinë ndërkombëtare të energjisë. Kjo është arsyeja pse duhet të veprojmë tani. Dhe duhet të veprojmë së bashku", deklaroi eurokoimisari i Energjetikës, Dan Jergense, në një letër drejtuar ministrave të energjisë të vendeve-anëtare.
Ministrat do të diskutojnë gjendjen e tregjeve të energjisë këtë pasdite përmes videokonferencës.
Komisioni deklaron se, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e tregut për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, Bashkimi Evropian është i përgatitur mirë falë detyrimit të vendeve-anëtare për të ruajtur rezervat e naftës dhe për të pasur plane emergjence në rast të ndërprerjeve të furnizimit.
Në një letër drejtuar ministrave, eurokomisari u bën thirrje vendeve-anëtare të shfrytëzojnë plotësisht takimet e Grupit të koordinimit të naftës dhe Grupit të punës për Siguri të Unionit të Energjisë, me qëllim për të siguruar koordinim të mirë dhe për të marrë në konsideratë masat për të ulur kërkesën, veçanërisht në sektorin e transportit.
Mbeten thelbësorë monitorimi i ngushtë, mekanizmat e shkëmbimit të shpejtë të informacionit dhe koordinimi. Të gjitha rreziqet në rast të situatave emergjente ose ndryshimeve të rëndësishme në furnizimin me naftë dhe kushtet e industrisë, duke përfshirë rezervat tregtare, duhet të monitorohen dhe raportohen në Komision për të siguruar vlerësim të vazhdueshëm dhe veprim të koordinuar.
Gjithashtu vendet-anëtare duhet të përmbahen nga masat që do të rrisnin konsumin e karburantit, do të kufizonin rrjedhën e lirë të produkteve të naftës ose do të dekurajonin funksionimin e rafinerive në BE. Konsultimet me vendet fqinje dhe Komisionin janë gjithashtu të nevojshme për të ruajtur koherencën në nivel Unioni dhe funksionimin e tregut të brendshëm.
"Për të mbrojtur disponueshmërinë e produkteve të naftës në tregun e BE-së, çdo mirëmbajtje e panevojshme e rafinerive duhet të shtyhet. Në të njëjtën kohë, përdorimi i shtuar i biokarburanteve mund të ndihmojë në zëvendësimin e lëndëve djegëse fosile dhe në uljen e presionit në treg", thekson Komisioni. mb/
Foto: MIA