• четврток, 25 декември 2025

Javën e ardhshme mbledhje e Këshillit Ekonomik Social, pritet të bisedohet edhe për pagën minimale

Javën e ardhshme mbledhje e Këshillit Ekonomik Social, pritet të bisedohet edhe për pagën minimale

Shkup, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Javën e ardhshme duhet të mbahet mbledhja e Këshillit Ekonomik Social në të cilën pritet të bisedohet edhe për pagën minimale. Nga Qeveria mbesin në qëndrimin se do të pajtohen me zgjidhjen që do ta dakordojnë sindikatat dhe punëdhënësit, ndërsa sektori i biznesit shpreson se do të pranohet propozimi i tyre për lehtësim në pjesën e kontributeve për llogari të rritjes së pagës minimale.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski sot e përsëriti qëndrimin e Qeverisë se do ta respektojnë çdo zgjidhje të marrë me konsensus mes punëdhënësve dhe sindikatave, ndërsa përderisa nuk ka marrëveshje do të vlejë Ligji për pagën minimale përkatësisht rritja do të jetë sipas formulës së njohur mirë.

"Është një ligj dhe u miratua me konsensus të përgjithshëm të të tre palëve në dialogun social dhe, si i tillë, duhet të respektohet. Çdo vendim që duhet të merret në të ardhmen duhet të miratohet gjithashtu me konsensus të të tre palëve", tha Risteski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske para fillimit të konferencës "Puna e dinjitetshme - rruga e vërtetë drejt një shoqërie të drejtë".

Nga Konfederata e Biznesit thonë se gjithmonë ekziston mundësia dhe se gjithmonë duhet të rritet paga, por që këtë duhet ta bëjnë ata që realisht munden.

"Ekonomia nuk është zhvilluar në mënyrë të barabartë kudo në territorin e vendit tonë. Qendra e aktiviteteve ekonomike është e përqendruar në Shkup dhe rajonin e Shkupit, ndërsa qytetet e tjera ende nuk kanë një shkallë serioze dhe nuk kanë të ardhura të mëdha dhe fitime të mëdha, prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën ekonomike dhe të jemi në gjendje të gjejmë një marrëveshje të përbashkët me sindikatat", tha Mile Boshkov, kryetar ekzekutiv i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë.

Konfederata e biznesit shpreson se do të pranohet propozimi i tyre - të ketë rritje të pagës, por kontributet të mbesin në nivelin e njejtë sikur deri tani.

"Ulja e kontributeve në raport me rritjen, për vlerën e rritjes. Për shembull, nëse paga minimale bëhet 25.000 ose 30.000 denarë, rritja do të jetë e lehtë, ndërsa kontributet tjera të cilat deri tani janë paguar në vlerë paraprake të pagës, të mbesin në nivel të njejtë", sqaron Boshkov.

Rritje të pagës minimale kërkojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, ndërsa si argument i theksojnë shpenzimet e rritura të jetesës. Në anketën e zbatuar nga ana e LSDM-së në nëntor pjesa më e madhe e të anketuarve janë shprehur se paga minimale duhet të jetë 600 euro.

Në pyetjen, "Sa duhet të arrijë paga minimale", nga 1613 të anketuar, 45,2 për qind besojnë se paga minimale duhet të rritet në 600 euro, 42 për qind besojnë se duhet të arrijë mbi 700 euro, ndërsa 12,8 për qind e të anketuarve thonë se duhet të jetë 500 euro.

Nga Konfederata e Sindikatave të Lira presin në KES të bisedohet edhe për çështjet e lidhura me shtesat e pagës në sektorin publik - Kemi shumë çështje për të cilat duhet të bisedojmë.

Të dhënat statistikore të publikuara nga ana e Entit Shtetëror të Statistikës për nëntorin tregojnë se shpenzimet e jetesës në nivel vjetor janë rritur për katër për qind. sa/

Foto: MIA Arkivi

Тагови

Остани поврзан