Ish shefi i CIA-s, Xhon Brenan: Sulmet e Trampit ndaj Iranit janë gabim katastrofik
- "Mendoj se kjo është hera e dytë në këtë shekull që SHBA-ja ka bërë gabim katastrofik duke u përfshirë në një konflikt në Lindjen e Mesme. Hera e parë ishte në vitin 2003 kur pushtuam Irakun, gjë që shkaktoi vite e vite kaosi, dhunë dhe terrorizmëm", tha Brenan.
Uashington, 3 mars 2026 (MIA) - Ish-drejtori i CIA-s, Xhon Brenan, deklaroi se sulmet ushtarake të presidentit, Donald Tramp ndaj Iranit ishin një "gabim drastikisht i keq". Në emisionin "The Weeknight" Brenan i krahasoi sulmet me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003, i cili sipas tij shkaktoi dekada kaosi.
"Mendoj se kjo është hera e dytë në këtë shekull që SHBA-ja ka bërë gabim katastrofik duke u përfshirë në një konflikt në Lindjen e Mesme. Hera e parë ishte në vitin 2003 kur pushtuam Irakun, gjë që shkaktoi vite e vite kaosi, dhunë dhe terrorizmëm", tha Brenan.
"Kjo çoi në ngritjen e SHI dhe ne ende po rimëkëmbemi nga 20 vjet kaos. Tani po nisim këtë sulm të madh ndaj Iranit, një vendi shumë të madh, shumë më të madh se Iraku", shtoi ai. "Ajo që kemi parë në ditët e fundit janë sulme shkatërruese ndaj Iranit dhe Qeverisë iraniane. Regjimi iranian për momentin nuk po lëviz dhe për këtë arsye po sulmojnë objektiva të afërta me çdo mjet që kanë në dispozicion, qofshin bazat amerikane apo vendet arabe të Gjirit".
"Jemi dëshmitarë të një humbje tragjike, të pakuptimtë dhe të panevojshme jetësh. Siç tha senatori Varner, nuk kishte asnjë kërcënim të menjëhershëm", vazhdoi Brenan. "Mendoj se është e qartë se administrata tani po shpik gjëra për të justifikuar atë që po ndodh".
"Ajo që është e qartë për mua është se Benjamin Netanjahu, i cili prej kohësh e ka dëshiruar këtë lloj operacioni ushtarak kundër Iranit, arriti ta fitojë mbështetjen e Trampit dhe ta tërheqë atë në diçka të tillë”, përfundoi Brenan, i cili ishte shef i CIA-s nga viti 2013 deri në vitin 2017. rq/
Foto: EPA