• среда, 08 април 2026

Irani në planin me dhjetë pika kërkon heqjen e sanksioneve dhe të drejtën për të pasuruar uranium

Irani në planin me dhjetë pika kërkon heqjen e sanksioneve dhe të drejtën për të pasuruar uranium

Teheran, 8 prill 2026 (MIA) - Plani paqësor iranian me dhjetë pika, i cili i është dorëzuar SHBA-ve me qëllim përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, parashikon që Uashingtoni të pranojë vazhdimin e programit iranian për pasurimin e uraniumit, si dhe heqjen e plotë të të gjitha sanksioneve.

Plani i publikuar nga Këshilli i Lartë për Sigurinë Kombëtare përfshin parimin e mos agresionit, ruajtjen e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, pranimin e pasurimit të uraniumit dhe heqjen e të gjitha sanksioneve kryesore dhe dytësore. 

Irani, gjithashtu, kërkon heqjen e rezolutës kundër Republikës Islamike të miratuar nga Këshilli i Sigurimit të KB-së dhe Bordit Drejtues të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANB), pagesën e dëmshpërblimeve, tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga rajoni dhe një armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë jugun e Libanit, ku po zhvillohen përplasje mes anëtarëve të Hezbollahut dhe Armatës izraelite. 

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, mbrëmë deklaroi se SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre kanë rënë dakord për një armëpushim "në të gjitha zonat", përfshirë Libanin, pas ndërmjetësimit pakistanez që synonte të ndalonte luftën që ka zgjatur më shumë se pesë javë.

Presidenti amerikan, Donald Tramp, më parë konfirmoi se ishte pajtuar për një armëpushim dy javor me Iranin, pak më pak se dy orë para skadimit të afatit që i kishte dhënë Teheranit – të hapte sërish Ngushticën e Hormuzit ose të përballej me sulme shkatërruese ndaj infrastrukturës civile.

Këshilli i Lartë për Sigurinë Kombëtare i Iranit e paraqiti këtë veprim të Trampit si fitore kundër SHBA-së, duke pretenduar se presidenti amerikan ka pranuar kushtet iraniane për ndalimin e armiqësive.

Trampi, i cili gjatë javëve të fundit shpesh ka bërë kërcënime e më pas është tërhequr prej tyre, deklaroi se përparimi në negociata e ka nxitur vendimin për armëpushim. Ai shtoi se Irani ka propozuar një plan me dhjetë pika që përbën "një bazë të realizueshme" për negociata të mëtejshme dhe se pret një marrëveshje përfundimtare brenda dy javësh. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Тагови

Остани поврзан