Irani: Bisedimet me SHBA-në do të fillojnë të premten në Islamabad
- Këshilli i lartë i Sigurisë kombëtare të Iranit informoi sot se bisedimet me SHBA-në do të fillojnë të premten, më 10 prill në Islamabad, pasi Teherani zyrtar i paraqiti Uashingtonit propozim 10 pikësh përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, raportuan mediat shtetërore iraniane, duke shtuar se bisedimet nuk sinjalizojnë fundin e luftës.
Teheran, 8 prill 2026 (MIA) – Këshilli i lartë i Sigurisë kombëtare të Iranit informoi sot se bisedimet me SHBA-në do të fillojnë të premten, më 10 prill në Islamabad, pasi Teherani zyrtar i paraqiti Uashingtonit propozim 10 pikësh përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, raportuan mediat shtetërore iraniane, duke shtuar se bisedimet nuk sinjalizojnë fundin e luftës.
Irani publikoi se bisedimet, të cilat mund të zgjasin deri në 15 ditë dhe mund të zgjaten me marrëveshje, kanë për qëllim të finalizojnë detajet e propozimit i cili përfshin dispozita për transitin përmes Ngushticës së Hormuzit, lehtësimin e sanksioneve dhe tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga bazat rajonale.
Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, më herët tha sot se ka rënë dakord të "suspendojë bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh", me kushtin që Teherani të pranojë të hapë plotësisht Ngushticën e Hormuzit.
Me këtë Trampi është tërhequr nga ultimatumi që skadoi në orën 20 të mbrëmjes sipas kohës lokale në Uashington. Vendimi i dha Iranit një afat tjetër për të hapur Ngushticën e Hormuzit, një ngushticë kyçe për furnizimet globale me naftë, ose të përballet me shkatërrimin e "një civilizimi të tërë".
Tramp tha se kishte folur me liderët e Pakistanit, vendi që ka qenë ndërmjetësi kryesor midis Uashingtonit dhe Teheranit dhe ka kërkuar armëpushim dyjavor në luftën me Iranin.
“Bazuar në bisedat e mia me kryeministrin Shehbaz Sharif dhe feldmarshalin Asim Munir të Pakistanit, në të cilat ata më kërkuan të kufizoja forcën shkatërruese që u dërgua kundër Iranit sonte dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të bie dakord të HAPË PLOTËSISHT, MENJËHERË dhe NË MËNYRË TË SIGURT Ngushticën e Hormuzit, pajtohem të ndërpres bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh”, shkroi Trampi në rrjetet sociale.
“Ky do të jetë një armëpushim dypalësh”, tha ai.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Irani kishte rënë dakord gjithashtu për një armëpushim të përkohshëm, raportoi Si-En-En.
Tramp tha gjithashtu se SHBA kishte marrë një propozim 10 pikësh nga Irani dhe se "beson se është një bazë e qëndrueshme për negociata".
Foto: arkivi i MIA-s