• четврток, 25 декември 2025

I dyshuari për sulmin terrorist në Sidnei transferohet nga spitali në burg

I dyshuari për sulmin terrorist në Sidnei transferohet nga spitali në burg

Sidnei, 22 dhejtor 2025 (MIA) - Burri (24), për të cilin dyshohet se është një nga dy sulmuesit përgjegjës për sulmin terrorist në plazhin Bondai, është transferuar nga spitali në burg, njoftoi sot policia lokale.

Policia bëri të ditur se burri është dërguar në një institucion korrektues në pjesën lindore të Sidneit. Kompleksi përfshin edhe spitalin Long Bej, një repart me siguri të lartë për raste mjekësore dhe psikiatrike, raportoi DPA.

Më 14 dhjetor, dy sulmues hapën zjarr ndaj njerëzve në plazhin ikonik Bondai në Sidnei, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Shumica e viktimave ishin hebrenj që po shënonin ditën e parë të Hanukës.

Hetuesit i identifikuan sulmuesit si babë dhe bir. Babai (50) u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje, ndërsa djali 24-vjeçar u plagos dhe më pas u akuzua për 15 pika për vrasje, 40 pika për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje dhe një pikë për terrorizëm.

Autoritetet thonë se sulmuesit kishin lidhje me organizatën terroriste Shteti Islamik. Sipas personave zyrtarë, në automjetin e të riut janë gjetur disa mjete shpërthyese dhe dy flamuj të Shtetit Islamik.

Sipas hetuesve, sulmuesit për muaj të tërë e kishin planifikuar me detaje sulmin.

Dokumente gjyqësore të publikuara së fundmi, për të cilat raportuan mediat lokale, zbulojnë se ata ishin stërvitur me armë zjarri në një zonë rurale të Australisë.

Sipas dokumenteve, policia në telefonin mobil të djalit ka gjetur një video nga muaji tetor, në të cilën shihen dy autorët të veshur me bluza të zeza, duke qëndruar ulur përpara një imazhi të flamurit të Shtetit Islamik, me katër pushkë të gjata dhe municion pranë tyre.

Policia njoftoi se në video shihet djali duke recituar nga Kurani në gjuhën arabe. Më pas, të dy burrat flasin në gjuhën angleze për motivin e sulmit të planifikuar dhe, ndër të tjera, dënojnë veprimet e "sionistëve".

Në dokument gjithashtu thuhet se, pas mbërritjes së tyre në vendngjarje më 14 dhjetor, babai dhe djali hodhën katër mjete shpërthyese të improvizuara drejt turmës. Megjithatë, mjetet nuk shpërthyen. qa/

Foto: DPA

Остани поврзан