Hulumtim i ISHP-së: Një pjesë e të rinjve fillojnë të pinë duhan në moshën 9-vjeçare, në moshën 13-vjeçare përvoja e parë me alkool
- – Të rinjtë në moshën 9-vjeçare fillojnë të pinë duhan, ndërsa përvojën e parë me alkool e kanë pasur në moshën 13-vjeçare. Këto janë një pjesë e të dhënave nga raporti i fundit nga Projekti Evropian për Hulumtim në Shkolla për Alkool dhe Droga të tjera – ESPAD 2024, të cilin e prezantoi sot Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shkup, 18 dhjetor 2025 (MIA) – Të rinjtë në moshën 9-vjeçare fillojnë të pinë duhan, ndërsa përvojën e parë me alkool e kanë pasur në moshën 13-vjeçare. Këto janë një pjesë e të dhënave nga raporti i fundit nga Projekti Evropian për Hulumtim në Shkolla për Alkool dhe Droga të tjera – ESPAD 2024, të cilin e prezantoi sot Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
ESPAD është nisma më e vjetër hulumtuese në Evropë kushtuar ndjekjes së trendeve të përdorimit të substancave te adoleshentët, e themeluar në vitin 1995 nga Agjencia e sotme e Drogave e Bashkimit Evropian (EUDA). Hulumtimi i fundit në shtet ishte zbatuar në vitin 2024 në 96 shkolla të mesme dhe 182 paralele. Ishin përfshirë 2831 nxënës, prej të cilëve 1397 (49,3 për qind) djem dhe 1434 ( 50,7 për qind) vajza.

“Prevalenca më e lartë e përdorimit të parë të cigares (duke përjashtuar produktet elektronike ose alternative) ndodh në moshat 14 vjeç (10,7 për qind) dhe 15 vjeç (10,1 për qind). Fillojnë në moshën 9-vjeçare ose më të vogël te 2,9 për qind e nxënësve, me përqindje të vogla por të qëndrueshme në moshat 10 vjeç (1,6 për qind), 11 vjeç (1,6 për qind) dhe 12 vjeç (3,1 për qind). Në moshën 13-vjeçare, shkalla rritet në 6,3 për qind”, theksoi Sanja Prosheva, koordinatore e projektit dhe autore e studimit.
Të dhënat tregojnë se 29,6 për qind e të gjithë nxënësve kanë përdorur cigare elektronike të paktën një herë në jetën e tyre, me prevalencë më të lartë tek djemtë (31,8 për qind) krahasuar me vajzat (27,5 për qind). Sa i përket përdorimit në muajin e fundit, 11,7 për qind e nxënësve raportuan përdorim të cigareve elektronike kohët e fundit, me norma pothuajse identike midis djemve (11,6 për qind) dhe vajzave (11,7 për qind). Të dhënat tregojnë rritje në përdorimin e cigareve elektronike si gjatë jetës ashtu edhe në muajin e fundit midis nxënësve midis viteve 2019 dhe 2024. Përdorimi gjatë jetës u rrit nga 21 për qind në 2019 në 30 për qind në vitin 2024, ndërsa përdorimi në muajin e fundit u rrit nga 7,2 për qind në 12 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
“Të dhënat tregojnë se normat më të larta të përdorimit të parë të cigareve elektronike ndodhin në moshat 14 (10,4 për qind) dhe 15 (10,6 për qind). Fillojnë që në moshën 9-vjeçare ose më herët në 1,3 për qind të nxënësve, me përqindje më të vogla në moshat 10 (0,9 për qind), 11 (0,9 për qind) dhe 12 (1,4 për qind). Në moshën 13-vjeçare, norma rritet në 6,1 për qind, duke treguar rritje të konsiderueshme të fillimit gjatë adoleshencës së hershme”, tha ajo.
Në hulumtim theksohet se përdorimi i alkoolit gjatë jetës është pak më i lartë tek djemtë (63,5 për qind) sesa tek vajzat (62 për qind), duke rezultuar në një prevalencë të përgjithshme prej 62,7 për qind. Përdorimi i alkoolit muajin e fundit tregon ndryshim më të theksuar gjinor, me 40,4 për qind të djemve dhe 34,6 për qind të vajzave që raportojnë përdorim, ndërsa prevalenca e përgjithshme është 37,5 për qind. Nga viti 2008 deri në vitin 2024, tha Prosheva, përdorimi i alkoolit gjatë jetës tek adoleshentët tregon trend të luhatshëm. Ishte 61 për qind në vitin 2008, ra në 57 për qind në vitin 2015, arriti kulmin në 67 për qind në vitin 2019 dhe më pas ra në 63 për qind në vitin 2024. Kjo tregon, siç theksoi ajo, rritje të përgjithshme gjatë periudhës 16-vjeçare, me rritje të konsiderueshme midis viteve 2015 dhe 2019, e ndjekur nga një rënie e vogël në periudhën më të fundit. Në vitin 2008, ishte 39 për qind, ra në 38 për qind në vitin 2015, u rrit pak në 41 për qind në vitin 2019 dhe ra përsëri në 37 për qind në vitin 2024.

Në mesin e nxënësve, 28,5 për qind raportuan se kanë pasur përvojën e tyre të parë me alkoolin në moshën 13-vjeçare ose më të vogël. Kjo sjellje ishte më e përhapur tek djemtë, me 34,7 për qind që raportuan përdorim të hershëm të alkoolit, krahasuar me 22,5 për qind të vajzave. Kur bëhet fjalë për dehjen, 6,7 për qind e nxënësve raportuan se ishin dehur për herë të parë në moshën 13-vjeçare ose më të vogël. Përsëri, prevalenca ishte më e lartë tek djemtë (8,3 për qind) sesa tek vajzat (5,2 për qind). Pirja e tepërt episodike, ose pirja e tepërt (pesë ose më shumë pije në një rast) në 30 ditët e fundit, u raportua nga 36,5 për qind e djemve dhe 30,1 për qind e vajzave, duke rezultuar në një prevalencë të përgjithshme prej 33,2 për qind. Kjo sugjeron që djemtë kanë më shumë gjasa të përfshihen në pirjen e tepërt sesa vajzat
Qetësuesit ose sedativët (diazepam, leksilium, valium, heleks) që barnatoret nuk duhet t'i japin pa recetë, përdorimi me recetë në një moment të jetës së tyre u raportua nga 9,9 për qind e djemve dhe 12,2 për qind e vajzave, që në përgjithësi është 11 për qind. Përdorimi i qetësuesve pa recetë ishte më i ulët, në 5,7 për qind të djemve dhe 7,5 për qind të vajzave, në përgjithësi prej 6,6 për qind. Përdorimi i qetësuesve pa recetë për t'u “fryer” u raportua nga 10,3 për qind e djemve dhe 9,9 për qind e vajzave, në përgjithësi prej 10,1 për qind. Përdorimi gjatë gjithë jetës i qetësuesve ose sedativëve pa recetë u ul nga viti 2008 në vitin 2019, dhe më pas u rrit përsëri deri në vitin 2024.
Të dhënat për përdorimin e kanabisit te adoleshentët tregojnë se 5,5 për qind të popullatës së përgjithshme të hulumtuar ka raportuar se ka përdorur kanabis të paktën një herë në jetë, 4,3 për qind në vitin e fundit, përderisa 2,6 për qind kanë raportuar përdorim në muajin e fundit. Të ndarë në gjini, prevalenca e përdorimit gjatë jetës, vitin e kaluar dhe muajin e fundit te djemtë është më e madhe në krahasim me vajzat.
“Prevalenca e përdorimit të hershëm të kanabisit - e përcaktuar si përdorimi i parë në moshën 13-vjeçare ose më të re - është relativisht e ulët në mesin e nxënësve. Në përgjithësi, 1,3 për qind e nxënësve raportuan se kishin filluar përdorimin e kanabisit në këtë moshë të re. Kur analizohet sipas gjinisë, djemtë kanë më shumë se dy herë më shumë gjasa sesa vajzat të fillojnë përdorimin e kanabisit herët, me 1,7 për qind të djemve krahasuar me 0,8 për qind të vajzave që raportojnë përdorim në moshën 13-vjeçare ose më të re. Prevalenca e përdorimit të kanabisit në moshën 13-vjeçare ose më të re në mesin e nxënësve ka mbetur relativisht e qëndrueshme midis viteve 2008 dhe 2024, me luhatje të vogla. Në përgjithësi, përqindja e përgjithshme e nxënësve që kanë filluar përdorimin e kanabisit në moshën 13-vjeçare ose më të re nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Kokaina raportohet nga 1,5 për qind e nxënësve gjatë jetës së tyre, përsëri më shpesh në mesin e djemve (1,9 për qind) sesa në mesin e vajzave (1,2 për qind). Vitin e kaluar, përdorimi ishte 1 për qind”, tha Prosheva.
Në 12 muajt e fundit, një në katër nxënës (25 për qind) raportuan se kanë luajtur bixhoz për para. Ndarja sipas gjinisë sugjeron që bixhozi ishte dukshëm më i zakonshëm tek djemtë, me 34 për qind që raportuan përfshirje në aktivitete të tilla, krahasuar me vetëm 16 për qind të vajzave. Bixhozi onllajn (makina lojërash fati onllajn, lojëra me letra ose zare onllajn, lotari onllajn dhe baste sportive ose kafshësh onllajn) është më pak i përhapur në përgjithësi, por ka një ndryshim gjinor. Gjithsej 15 për qind e nxënësve raportuan bixhoz onllajn, me 21 për qind të djemve dhe vetëm 9 për qind të vajzave që merreshin me këtë formë bixhozi.
Shumica e aktiviteteve parandaluese rreth këtyre dukurive negative (42,5 për qind) kanë ndodhur gjatë kohës së rregullt shkollore, kryesisht të zbatuara nga mësimdhënës (26,3 për qind).

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, VesnaJanevska theksoi se në sistemin arsimor në Maqedoni prej kohësh është vendosur mekanizëm për parandalimin e përdorimit të substancave psikoaktive, por ai duhet të ndryshohet dhe të plotësohet, sepse po ndryshojnë edhe trendet në sjelljen e të rinjve-po zvogëlohet përdorimi i duhanit, por po rritet përdorimi i cigareve elektronike dhe ndaj kësaj duhet vepruar. Kumtoi se temat që lidhen me kujdesin për shëndetin personal janë të përfaqësuara në të gjitha klasat në lëndët e rregullta, veçanërisht në shkencat natyrore. Megjithatë, për të rritur njohuritë shëndetësore, duke filluar nga ky vit shkollor, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kemi futur lëndë të re zgjedhore "Mësoj për shëndetin tim" në klasën e VII.
Janevska informoi gjithashtu se në fillim të këtij viti janë bërë ndryshime ligjore me të cilat shkollat fillore dhe të mesme kanë obligim që, krahas programeve për mbrojtje nga dhuna, parandalimin e diskriminimit, rritjen e tolerancës etj., detyrimisht të zbatojnë edhe programe për parandalimin e abuzimit me alkoolin, duhanin dhe substanca të tjera psikoaktive.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Maria Andonovska, theksoi se të dhënat e marra përmes ESPAD nuk janë vetëm numra, por ato përfaqësojnë zërin e të rinjve, një pasqyrim të jetës së tyre të përditshme, zgjedhjeve dhe mjediseve në të cilat rriten. Kjo është arsyeja pse, siç tha ajo, këto rezultate janë thelbësore për të gjithë ne - politikëbërësit, punonjësit e shëndetësisë dhe arsimit dhe praktikuesit që kemi një përgjegjësi të përbashkët për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për të gjithë të rinjtë në vend. Ajo thekson se gjetjet nga ESPAD do të shërbejnë si bazë e fortë për përmirësimin e programeve parandaluese, forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial dhe harmonizimin e strategjive kombëtare me politikat evropiane në fushën e shëndetit publik. fc/
Foto: MASH