• среда, 01 април 2026

Hegseth: Fati i mbështetjes amerikane për NATO-n është në duart e Trampit

Hegseth: Fati i mbështetjes amerikane për NATO-n është në duart e Trampit

Uashington, 31 mars 2026 (MIA) - Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegseth, ka refuzuar të konfirmonte se SHBA-ja mbetet fuqishëm e përkushtuara ndaj mbrojtjes kolektive të NATO-s, duke deklaruar se vendimi përfundimtar do të varet nga presidenti Donald Tramp, pas mosmarrëveshjeve me aleatët evropianë rreth luftës kundër Iranit.

Deklaratën, e dhënë në një konferencë në Pentagon, Rojters e konsideron të pazakontë, duke pasur parasysh se mbrojtja kolektive është themeli i Aleancës së themeluar në vitin 1949, raporton BTA.

Çdo sinjal se SHBA-ja mund të mos i mbrojnë aleatët në rast të një sulmi nga Rusia ose një kundërshtar tjetër mund ta dobësojë seriozisht NATO-n, edhe nëse Tramp nuk vendos të tërhiqet plotësisht nga Aleanca, gjë që do të kërkonte miratimin e Kongresit, thekson agjencia.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se deklarata të tilla mund ta inkurajojnë Rusinë të testojë gatishmërinë e NATO-s për të aktivizuar Nenin 5, i cili përcakton se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

I pyetur nëse SHBA-ja mbetet e përkushtuara ndaj mbrojtjes kolektive, Hegseth tha: "Sa i përket NATO-s, ky është një vendim që presidenti do ta marrë. Por do të them se shumë gjëra kanë dalë në dritë".

Ai iu referua në mënyrë indirekte postimeve të Tramp në mediat sociale, në të cilat ai kritikoi Francën për moslejimin e aeroplanëve ushtarakë amerikanë të fluturojnë mbi Izrael, si dhe Mbretërinë e Bashkuar për mosbashkimin në operacionet ushtarake kundër Iranit.

Tramp tha se SHBA-ja "nuk është e detyruar ta mbështesë NATO-n".

"Nuk mund të kesh një aleancë të vërtetë nëse ka vende që nuk janë të gatshme të qëndrojnë në krahun tënd kur të jetë e nevojshme. Ai thjesht po e thekson këtë dhe në fund ai do të vendosë se si do të duket gjithçka", tha Hegseth. mb/

Foto: EPA

Остани поврзан