Gashi: Apeloj që të gjendet vullnet politik për marrëveshje për zgjedhjen e Avokatit të Popullit
- Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjendet vullnet politik dhe në Kuvend të zgjedhet Avokati i popullit. Në takimin e sotëm me gazetarët, ai tha se personalisht do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse është një institucion i rëndësishëm dhe se është e papranueshme që aq gjatë kohë të mos ketë udhëheqës.
Shkup, 25 dhjetor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjendet vullnet politik dhe në Kuvend të zgjedhet Avokati i popullit. Në takimin e sotëm me gazetarët, ai tha se personalisht do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse është një institucion i rëndësishëm dhe se është e papranueshme që aq gjatë kohë të mos ketë udhëheqës.
"Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që ajo të ecë normalisht, por po përballemi me vullnetin politik të partive politike. Ju e dini që duhet të votohet me shumicë dhe me një Badenter të madh (20 deputetë nga komunitetet). Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush, mediave, të bëj thirrje deri te të gjitha partitë politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejmë zgjidhje, të ulen aktorët politikë të gjejnë zgjidhje. Mbi të gjitha, le të jemi të ndërgjegjshëm ndaj një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit. Do të doja që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur dhe menjëherë do të caktoja seancë. Pika është në rend të ditës, do ta votojmë që të mund të funksionojë edhe në lidhje me zgjedhjet e përsëritura që janë më 11 janar", tha Gashi.

Nëse nuk gjendet vullneti politik për të zgjedhur Avokat të Popullit, Gashi thotë se duhet të gjendet alternativë për zgjidhje tjera. "Por, mendoj se nuk janë shteruar të gjitha kapacitetet politike për të gjetur një kompromis dhe për këtë arsye bëj thirrje edhe një herë këto ditë që të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje dhe mendoj se nuk kemi dallime aq të mëdha sa të mos mund të vendosim se kush do të jetë Avokat i Popullit," tha kryetari i Kuvendit.
Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërime e propozoi Faton Selamin për Avokat të Popullit. Shumica qeverisëse ka vota të mjaftueshme për të mbështetur këtë kandidat, por nuk ka deputetë të mjaftueshëm për të votuar për Badenterin. Shumica disponon me një maksimum prej 14 vota sipas Badinterit, ndërsa mungojnë vota nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI.
Duke folur për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor, Gashi tha se ata do të zgjidhen në përputhje me ligjin e ri, i cili pritet të miratohet të martën, më 30 dhjetor.
Kuvendi ende nuk ka formuar një grup pune për ligjin zgjedhor dhe ende nuk ka një qëndrim të qartë nëse do të punojë në një dokument krejtësisht të ri apo nëse do të marrë parasysh draftin tashmë të përfunduar, i cili është punuar nga një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë para zgjedhjeve parlamentare. Gashi tha se do të flasë me Ministrin e Drejtësisë sot dhe se gjërat do të jenë më të qarta. ls/
Foto: MIA