• четврток, 25 декември 2025

Fillkov: Në vitin 2026 do të fokusohemi në plotësimin e pozicioneve kritike kadrovike në gjyqësor dhe prokurori

Fillkov: Në vitin 2026 do të fokusohemi në plotësimin e pozicioneve kritike kadrovike në gjyqësor dhe prokurori

Shkup, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Mbikëqyrja e realizuar nga Ministria e Drejtësisë tregoi të dhëna alarmante: mbushje e vendeve gjyqësore prej 67 për qind (432 nga 636) dhe mbushje e shërbimit gjyqësor me vetëm 36 për qind, gjë që ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin dhe kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore, informoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov në takimin e 9-të të Grupit punues sektorial për drejtësi, duke theksuar se personeli është një parakusht për digjitalizim të suksesshëm dhe një gjyqësor funksional.

"Pikërisht këto gjetje janë bazë për marrjen e masave specifike dhe të koordinuara të cilat në vitin 2026 do të forcojnë kapacitetet njerëzore të pikave më kritike të sistemit", theksoi Fillkovi në takimin ku morën pjesë përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadave në vend, gjyqtarëve, prokurorëve publikë, avokatëve, Këshillit të TIK-ut, organizatave ndërkombëtare dhe vendase dhe komunitetit të donatorëve.

Siç kumton Ministria e Drejtësisë, Fillkovi theksoi se megjithëse parashikohen ndryshime të konsiderueshme në fushën e rregulloreve, më i rëndësishmi mbetet faktori njerëzor.

"Nevojitet kuadër profesional në çdo nivel të gjyqësorit, për funksionim efikas dhe veprim në shërbim të drejtësisë. Kjo kërkon një angazhim të përbashkët nga të gjithë", ka thënë në fjalën e tij ministri i Drejtësisë.

Paralelisht, theksohet në kumtesë, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur mbi 20 ligje në periudhën e kaluar, në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës: 13 ligje janë tashmë në procedurë qeveritare, Ligji për Këshillin gjyqësor është në Kuvend dhe ka kaluar leximin e parë.

"Vazhdon zbatimi i Strategjisë së zhvillimit sektorial për gjyqësorin 2024–2028 dhe Agjendës së reformave 2024–2027 për çka është krijuar Këshill për monitorimin e reformave. Procesi mbështetet nga Bashkimi Evropian i cili paraqet një sinjal të qartë besimi dhe progresi drejt anëtarësimit në BE", theksohet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Foto: Ministria e Drejtësisë

 

 

 

Остани поврзан