• четврток, 25 декември 2025

Fidan: Shkelja e armëpushimit nga Izraeli e rrezikon planin e paqes, bisedimet në Majami inkurajojnë

Fidan: Shkelja e armëpushimit nga Izraeli e rrezikon planin e paqes, bisedimet në Majami inkurajojnë

Majami, 21 dhjetor 2025 (MIA) – Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan deklaroi se shkelja e armëpushimit në Gazë nga Izraeli rrezikon planin e paqes, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti janë dakord për këtë çështje dhe shtoi se gjatë bisedimeve të delegacioneve në Majami janë arritur "marrëveshje inkurajuese".

"“Faza e parë ka përfunduar pas dorëzimit të trupit të pengut të fundit dhe tani po diskutohen standardet për kalimin në fazën e dytë”, tha Fidan, duke theksuar se takimi në Majami ishte “më i rëndësishmi” pas samitit në Sharm el-Sheik, transmetoi sot Al Xhezira.

Ministri turk shtoi se takimi ishte shumë pozitiv dhe mundësoi një diskutim të detajuar të problemeve që u paraqitën në fazën e parë. Ai gjithashtu vuri në dukje se Turqia theksoi qartë se shkelja e armëpushimit, veçanërisht nga Izraeli, rrezikon planin e paqes dhe përfaqëson një pengesë të madhe për të kaluar në fazën tjetër.

Fidan tha gjithashtu se katër vendet ndërmjetëse - Turqia, Katari, Egjipti dhe SHBA-ja - do të vazhdojnë të zhvillojnë konsultime të nivelit të lartë për të siguruar përparimin dhe zbatimin efektiv të planit.

Një nga temat kryesore të takimit ishte edhe përgatitja për rindërtimin e Gazës, e Turqia, siç theksoi Fidan, vendosi tre parime kryesore në këtë drejtim - që Gaza duhet të udhëhiqet nga populli i saj, që territori i Gazës nuk duhet të ndahet dhe që të gjitha çështjet në Gazë duhet të jenë në interes të popullit të saj. Fidan theksoi se priten investime të mëdha në rindërtimin e Gazës dhe se këto investime do të drejtohen drejt mirëqenies së popullit të saj.

Ministri turk i Punëve të Jashtme mori pjesë në takimin e përfaqësuesve të SHBA-së, Egjiptit, Katarit dhe Turqisë në Majami të Floridës, në të cilin u diskutuan hapat e ardhshëm në zbatimin me faza të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes për Gazën, kumtoi mbrëmë Ministria turke e Punëve të Jashtme. 

Takimi në Majami u mbajt të premten për të diskutuar hapat e mëtejshëm lidhur me planin e armëpushimit në Gazë. Sipas planit të paqes për Gazën, i cili u miratua me sugjerimin e SHBA-së, më 10 tetor hyri në fuqi armëpushimi midis Izraelit dhe lëvizjes militante palestineze Hamas, duke filluar kështu faza e parë e planit paqësor për t'i dhënë fund luftës që filloi në tetor 2023.

Pas përmbushjes së të gjitha detyrimeve të fazës së parë të planit paqësor, që kryesisht kishte të bënte me dorëzimin në Izrael të të gjithë pengjeve të gjallë dhe trupave të të gjithë pengjeve të vdekur që Hamasi rrëmbeu në tetor 2023, është paralajmëruar se plani i paqes do të kalojë në fazën tjetër, e cila përfshin, ndër të tjera, krijimin e një Komiteti për Gazën që do të mbikëqyrë punën e administratës civile, si dhe formimin e forcave ndërkombëtare që do të monitorojnë ushtarakisht situatën në Rripin e Gazës. ls/

Foto: EPA

 

Остани поврзан