• петок, 26 декември 2025

Fakulteti Pedagogjik i UT-së e përmbylli projektin studentor për promovimin e mjediseve të sigurta shkollore

Fakulteti Pedagogjik i UT-së e përmbylli projektin studentor për promovimin e mjediseve të sigurta shkollore

25 dhjetor 2025

Në Fakultetin Pedagogjik të UT-së, u përmbyllën me sukses aktivitetet e projektit studentor “Promovimi i mjediseve të sigurta shkollore” - projekt i financuar nga Pestalozzi dhe i realizuar në partneritet me Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ), theksohet në komunikatën e UT-së të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të dekanit të Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, i cili theksoi rëndësinë e angazhimit institucional dhe studentor në adresimin e çështjeve me rëndësi shoqërore.

Në fjalën e tij, dekani vuri në pah se projekti për promovimin e mjediseve të sigurta shkollore përfaqëson një shembull të mirë të përfshirjes aktive të studentëve në parandalimin e dhunës dhe në ndërtimin e një kulture dialogu, tolerance dhe mirëkuptimi në shkolla.

Ai shprehu falënderim të veçantë për Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar dhe drejtorin e saj, z. Besnik Ramadani, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe realizimin me sukses të aktiviteteve të përbashkëta, duke theksuar se projekti ka sjellë përfitime konkrete për Fakultetin Pedagogjik në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës dhe studimit.

Në vijim të aktivitetit u zhvillua panel diskutimi me temën “Zëri ynë kundër dhunës – edukim, empati dhe veprim”, ku panelistet Prof. Dr. Ardita Ceka, Hana Xhaferi dhe Hafsa Ibishi ndanë përvoja, qëndrime profesionale dhe rekomandime mbi rolin e arsimit, mësimdhënësve dhe institucioneve në krijimin e mjediseve shkollore të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe pa dhunë. Në diskutime u theksua rëndësia e edukimit qytetar, empatisë dhe përfshirjes aktive të nxënësve dhe studentëve në proceset parandaluese.

Aktiviteti u përmbyll me një bashkëbisedim të hapur me të pranishmit, ku profesorë dhe studentë të Fakultetit Pedagogjik patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të ndajnë mendime dhe të diskutojnë mbi sfidat dhe mundësitë për forcimin e sigurisë dhe mirëqenies në mjediset arsimore.

Ngjarja u vlerësua si një aktivitet me rëndësi të veçantë akademike dhe shoqërore, duke konfirmuar përkushtimin e Fakultetit Pedagogjik për të promovuar vlera humane, dialog dhe përgjegjësi qytetare në arsim.

Foto: UT

Остани поврзан