Duda: Polakët i kanë falur gjermanët për krimet e luftës, por nuk i kanë harruar dhe presin dëmshpërblim
- Në 85 vjetorin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, me sulmin gjerman të 1 shtatorit 1939 mbi qytetin polak Vjelunj dhe garnizonin polak në Gdansk, presidenti polak Andzhej Duda tha se polakët i kanë falur gjermanët, por nuk kanë harruar dhe presin dëmshpërblime për shkatërrimet dhe krimet e Gjermanisë hitleriane kundër polakëve.
Varshavë, 1 shtator 2024 (MIA) - Në 85 vjetorin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, me sulmin gjerman të 1 shtatorit 1939 mbi qytetin polak Vjelunj dhe garnizonin polak në Gdansk, presidenti polak Andzhej Duda tha se polakët i kanë falur gjermanët, por nuk kanë harruar dhe presin dëmshpërblime për shkatërrimet dhe krimet e Gjermanisë hitleriane kundër polakëve.
"Një gjë është falja dhe pranimi i fajit, e tjetër dëmshpërblimi. Dhe kjo çështje ende nuk është mbyllur. Unë besoj thellësisht se do të zgjidhet sepse askush nuk ka hequr dorë nga pritshmëria që nëse dikush vjen dhe na shkatërron diçka, është i detyruar të na paguajë për këtë", tha presidenti polak në Vjelunj.
Përkujtimi qendror për të shënuar 85 vjetorin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore filloi në orën 4:40 të mëngjesit në Vjelunj, qyteti i parë polak që u bombardua, ndërsa pesë minuta më vonë në gadishullin Vesterplate në Gdanjsk, ku granatat e para ranë nga një Luftanija gjermane Shkezvig-Hollshtajn që qëlloi në garnizonin polak në këtë gadishull baltik dhe filloi Lufta e Dytë Botërore.
Sipas kryeministrit polak Donald Tusk, mësimet kryesore për Poloninë në 85-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore janë: kurrë më shumë vetmi pa aleatë dhe kurrë më shumë dobësi.
Këtë javë, qeveria polake e miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm, në të cilin për mbrojtje, modernizim dhe përforcim të armatës polake janë ndarë rekord 4,7 për qind të PBB-së, më e larta në NATO, të cilën disa mediat gjermane e komentuan duke pyetur nëse Polonia nuk do të mbështetet më në mbrojtjen kolektive të NATO-s dhe e përforcon armatën e saj sikur të ishte sërish vetëm dhe pa aleatë.
Në Luftën e Dytë Botërore, rreth gjashtë milionë qytetarë polakë humbën jetën, më shumë se gjysma e të cilëve ishin hebrenj polakë.
Shkatërrimi material më i madhi ishte në Varshavë, ndërsa sipas vlerësimeve, nga kostot totale të Gjermanisë së Hitlerit prej 12 miliardë eurosh për shndërrimin e qyteteve polake në rrënoja, 8,5 miliardë euro u llogaritën për Varshavën. Dëmet në trafikun rrugor janë vlerësuar në 6,9 miliardë euro, në hekurudhë 16 miliardë euro, ndërsa dëmet në bujqësi arritën në 12,6 miliardë euro. ls/