DPA: IDF planifikon operacione të reja ushtarake në Gazë, ndërsa Hamasi po rindërton tunelet
- Forcat izraelite dhe lëvizja palestineze Hamas po përgatiten për vazhdimin e luftimeve në Rripin e Gazës, bën të ditur agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Gazë, 11 janar 2026 (MIA) – Forcat izraelite dhe lëvizja palestineze Hamas po përgatiten për vazhdimin e luftimeve në Rripin e Gazës, bën të ditur agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Forcat mbrojtëse izraelite (IDF) kanë hartuar plane për të nisur operacione të reja ushtarake në Gazë në muajin mars, tha një zyrtar anonim izraelit dhe një diplomat arab për "Tajms of Izrael".
Armëpushimi i brishtë në Gazë është në fuqi që nga 10 tetori, pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një "udhërrëfyes" prej 20 pikash të mbështetur nga Uashingtoni për t'i dhënë fund konfliktit që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Sipas burimeve diplomatike, operacioni i mundshëm nuk mund të përparojë pa mbështetjen e SHBA-së e cila për momentin po këmbëngulë për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit e cila përcakton që Hamasi të dorëzojë armët dhe të vendosë forca ndërkombëtare stabilizimi.
Gazeta "Uolstrit xhurnall", duke cituar burimet e saj thekson se Hamasi po përgatitet gjithashtu për luftime të reja, duke filluar me rindërtimin e disa prej tuneleve nëntokësore të dëmtuara. Autoritetet izraelite i thanë gazetës amerikane se janë të gatshëm të japin më shumë kohë për zbatimin e planit të paqes së presidentit të SHBA-së Donald Tramp, por vendimi për planet e reja ushtarake mbetet në dorë të udhëheqësisë politike izraelite.
Edhe krahas armëpushimit, ushtria izraelite vazhdon me sulme ndaj udhëheqësisë së Hamasit në Gazë.
foto: arkivi