• сабота, 23 мај 2026

Brukseli dhe Londra e dënuan sjelljen e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve të ndaluar për ndihmë humanitare për Gazën

Brukseli dhe Londra e dënuan sjelljen e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve të ndaluar për ndihmë humanitare për Gazën

Bruksel/Londër, 21 maj 2026 (MIA) - Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar e dënuan sjelljen e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve të ndaluar nga flotilja me ndihma humanitare për Rripine Gazës. 

Sipas raporteve, policia izraelite i ka detyruar aktivistët të ulen në gjunjë me duart e lidhura pas shpine, në praninë e ministrit të ekstremit të djathtë për sigurinë e brendshme, Itamar Ben-Gvir.  

Publikimi i video-incizimit nga Itamar Ben-Gvir ka shkaktuar kritika edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Ai deklaroi se, megjithëse Izraeli ka të drejtë t’i ndalojë, siç i quajti ai, "flotiljat provokuese të mbështetësve të Hamasit", mënyra se si janë trajtuar aktivistët "nuk është në përputhje me vlerat dhe normat e Izraelit”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian e ka vlerësuar trajtimin ndaj aktivistëve si "plotësisht të papranueshëm".

"Sjellja e ministrit izraelit Itamar Ben-Gvir është e padenjë për këdo që ushtron funksion në një shtet demokratik", deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas. Ajo e përshkroi trajtimin ndaj aktivistëve, mes të cilëve kishte edhe qytetarë të Bashkimit Evropian, si "poshtërues dhe të gabuar".

Ngjarjen e dënoi edhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta. "Jam i tronditur nga sjellja e ministrit izraelit Itamar Ben-Gvir ndaj aktivistëve të flotiljes. Një sjellje e tillë është plotësisht e papranueshme. Bëjmë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm", shkroi Koshta në platformën "X".

Një status të ngjashëm në profilin e saj në "X" e publikoi edhe ministrja e Jashtme e Britanisë, Ivet Kuper. 

"Vërtetë jam e tmerruar nga rasti", shkroi ajo, duke theksuar se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është në kontakt me familjet e aktivistëve britanikë dhe ka kërkuar sqarime nga autoritetet izraelite. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан