• понеделник, 16 март 2026

Bregu lindor i SHBA-së po përgatitet për një tjetër stuhi të madhe dëbore

Bregu lindor i SHBA-së po përgatitet për një tjetër stuhi të madhe dëbore

Nju-Jork, 22 shkurt 2026 (MIA) - Një stuhi e re dëbore po kërcënon Bregun Lindor të SHBA-së, pasi në disa vende, përfshirë Nju-Jorkun, pritet shtresë dëbore deri mbi 30 centimetra, kumtoi Shërbimi kombëtar meteorologjik.

Pas stuhisë së fortë dimërore në fund të janarit, qytetet kryesore në verilindje të SHBA-së, si Nju-Jorku, Filadelfia, Bostoni dhe kryeqyteti Uashington, po përgatiten për më shumë reshje dëbore dhe erëra të forta.

"Në Boston mund të bjerë prej 30 deri në 60 cm borë. Për shkak të borës në disa pjesë të Bregut Lindor, kushtet e rrugëve mund të bëhen të ndërlikuara dhe lëvizja mund të bëhet pothuajse e pamundur", kumtoi shërbimi meteorologjik, duke paralajmëruar për rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Në Delaver dhe Nju Xhersi priten edhe përmbytje. Për një stuhi të fortë përgatiten edhe autoritetet dhe banorët e Nju-Jorkut. 

"Aktualisht presim midis 33 dhe 43 cm borë, por mund të arrijë në 50 centimetra ose më shumë. U kërkoj të gjithë banorëve të Nju-Jorkut të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet", tha kryebashkiaku i qytetit, Zohran Mamdani, në brifing me gazetarët, dhe paralajmëroi se udhëtimi nesër në mëngjes mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Në fund të janarit, disa rajone të SHBA-së u goditën nga një stuhi e fortë dimërore, e cila, sipas autoriteteve, mori më shumë se 100 jetë njerëzish. ls/

Foto: EPA

 

 

 

Остани поврзан