BE-ja ka arritur një marrëveshje paraprake për marrëdhëniet tregtare me SHBA-në
- Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Parlamentit Evropian kanë arritur një marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes kontroverse doganore me SHBA-në.
Bruksel, 20 maj 2026 (MIA) - Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Parlamentit Evropian kanë arritur një marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes kontroverse doganore me SHBA-në.
Presidenca qipriote e Këshillit të BE-së njoftoi se negociatorët kanë arritur një marrëveshje të përkohshme mbi dy rregullore që zbatojnë uljet e tarifave të dakordësuara në deklaratën e përbashkët midis BE-së dhe SHBA-së.
Nën presionin e kërcënimeve të fundit nga presidenti i SHBA-së Donald Tramp, negociatorët ranë dakord të heqin tarifat e mbetura mbi mallrat industriale amerikane dhe të sigurojnë akses më të mirë në treg për produktet e peshkimit dhe ato bujqësore të SHBA-së.
Në kumtesë theksohet se, për të siguruar zbatimin efektiv të marrëveshjes dhe për të mbrojtur interesat e BE-së, është rënë dakord për një mekanizëm mbrojtës të përforcuar që do të lejojë pezullimin e preferencave tarifore nëse SHBA-të shkelin marrëveshjen.
Kryetari i Komitetit të Tregtisë Ndërkombëtare të Parlamentit Evropian, Bernd Lange, tha se "rruga ka qenë e vështirë, por ia vlente", duke shtuar se efektet në ekonominë evropiane do të rishikohen përsëri deri në fund të vitit 2029.
Marrëveshja doganore u arrit në gusht të vitit 2025 midis Donald Trampit dhe kryetares së Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen.
Ai vendosi një kufi prej 15 përqind për shumicën e importeve të BE-së në SHBA, duke përfshirë makinat dhe pjesët e automjeteve.
Në këmbim, BE-ja u zotua të eliminonte tarifat për mallrat industriale amerikane dhe të lehtësonte aksesin e produkteve bujqësore amerikane, të tilla si mishi i derrit dhe produktet e qumështit, në tregun evropian.
Ndërkohë, Trampi akuzoi BE-në se nuk e respekton marrëveshjen dhe njoftoi mundësinë e rritjes së tarifave për makinat dhe kamionët e importuar nga BE-ja në 25 përqind.
Marrëveshja ende duhet të miratohet zyrtarisht nga seanca plenare e Parlamentit Evropian dhe nga shtetet anëtare të BE-së, gjë që konsiderohet formalitet. Rregulloret pritet të hyjnë në fuqi më së voni më 4 korrik. sa/
foto/MIA arkivi