Ballkani nën borë dhe akull: Masa të jashtëzakonshme në Serbi, alarm portokalli në BeH dhe Kroaci
- Valë e të ftohtit e përfshiu rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në Serbi është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në 11 komuna për shkak të temperaturave të ulëta ekstreme dhe reshjeve të mëdha të borës, njoftojnë mediat lokale. Rreth 9.000 amvisëri në Serbi janë pa energji elektrike.
Zagreb, 12 janar 2026 (MIA) - Valë e të ftohtit e përfshiu rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në Serbi është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në 11 komuna për shkak të temperaturave të ulëta ekstreme dhe reshjeve të mëdha të borës, njoftojnë mediat lokale. Rreth 9.000 amvisëri në Serbi janë pa energji elektrike.
Gjendja e jashtëzakonshme është vendosur në komunat Velevo, Loznica, Oseçina, Krupanj, Mali Zvornik, Vladimirci, Sjenica, Majdanpek, një pjesë e Prijepoles, Luçani dhe Ivanjica. Bora e kufizoi qasjen në 15 fshatra, ndërsa trafiku hekurudhor në linjat deri në Lazarevac dhe nga Mladenovac drejt Beogradit është në ndërprerje të plotë.
Ekipet e shpëtimit prej dje deri sot kanë ndërhyrë 98 herë në terren, duke evakuuar 37 persona. Nga kompania "Elektroshpërndarës Serbi", njoftuan se furnizimi me energji elektrik gradualisht po normalizohet, por ende po punohet në defektet te disa mijë shfrytëzues.
Temperaturat në Serbi këto ditë ranë në -17 gradë Celsius. Alarm portokalli në mëngjes është aktivizuar në Beograd, Baçka, Banat, Srem, si dhe në Serbinë perëndimore dhe jugperëndimore. Kryeministri paralajmëroi seancë të Shtabit për situata të jashtëzakonshme për shqyrtim të masave të mëtejshme.
E ngjashme është gjendja edhe në Bosnja e Hercegovinë, ku gjithashtu është shpallur meteoalarm portokalli për shkak të temperaturave prej -15 gradë. Instituti hidrometeorologjik paralajmëroi se i ftohti është i rrezikshëm për shëndetin e personave më të moshuar, fëmijët dhe të sëmurët kronik, lajmëroi BHRT.
Kroacia, gjithashtu, përballet me reshje të rrëmbyeshme të borës në ditët e fundit, ndërsa temperatura më e ulët është regjistruar sot nga -19,6 gradë, publikoi portali kroat "Indeks". Temperatura në kryeqytetin e Zagrebit në mëngjes është - 10 gradë. Meteorologët për sot njoftojnë kthjellim gradual dhe mot pak më të ngrohtë.
Në Mal të Zi pritet moti të përmirësohet sot, por autoritetet i paralajmërojnë shoferët të kenë kujdes ndaj akullit dhe rrëshqitjes së dheut, raportoi MINA.
Në Slloveni, temperaturat janë gjithashtu të ulëta, ndërsa më ftohtë sot është në Slloveninë jugperëndimore - ku temperatura herët në mëngjes ishte - 21,1 gradë, raportoi edicioni slloven "24 ur". Në pjesën tjetër të vendit, temperaturat minimale lëvizin mes - 19 dhe - 10 gradë. sa/
foto: arkivi