Australia ka regjistruar vatrën më të keqe të difterisë në dekadat e fundit
- Australia po lufton me vatrën më të keqe të difterisë në dekadat e fundit, transmetoi DPA.
Kanbera, 20 maj 2026 (MIA) – Australia po lufton me vatrën më të keqe të difterisë në dekadat e fundit, transmetoi DPA.
Më shumë se 220 persona janë infektuar tashmë, ndërsa pjesa veriore e vendit është veçanërisht e goditur rëndë. Arsyeja kryesore për përhapjen është një rënie e ndjeshme e shkallës së vaksinimit, njoftoi sot transmetuesi "Ej-Bi-Si", duke cituar qeverinë në Kanbera.
Të dhënat e reja tregojnë se shkalla e imunizimit rutinë te fëmijët, e cila përfshin edhe vaksinimin bazë kundër difterisë, po bie për të pestin vit radhazi. Autoritetet tani po përgatisin një pako mbështetjeje për zgjerimin e fushatave të vaksinimit.
Ministri i Shëndetësisë, Mark Batler, e përshkroi vatrën si “shumë shqetësuese”.
"Për ta vënë këtë në kontekst, ne i regjistrojmë numrat e rasteve në nivel kombëtar prej rreth 35 vitesh dhe kjo, me një diferencë shumë të madhe, është vatra më e madhe e difterisë që kemi parë ndonjëherë – theksoi ai.
Numri i rasteve është rreth 30 herë më i lartë se mesatarja e pesë viteve të fundit.
Difteria është një sëmundje infektive bakteriale shumë ngjitëse. Forma respiratore mund të prekë hundën, fytin dhe rrugët e frymëmarrjes, ndërsa e ashtuquajtura difteria e lëkurës prek lëkurën. Ajo përhapet përmes pikëzave gjatë kollitjes ose teshtitjes, ose përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me plagë të infektuara.
Pavarësisht antibiotikëve, rreth 10 për qind e pacientëve me simptoma të rënda respiratore vdesin, sipas autoriteteve shëndetësore.
Sëmundja konsiderohej pothuajse e zhdukur në Australi që nga vitet 1950.
Komunitetet indigjene në Territorin Verior janë veçanërisht të prekura nga kjo vatër, ku ka edhe mungesë të personelit shëndetësor në rajon.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 16.600 raste të difterisë janë raportuar në mbarë botën në 39 vende në vitin 2018. Numri më i madh i rasteve është regjistruar bindshëm në Indi. ls/
Foto: EPA