ASH: Shëndetësia nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra, fotografi dhe militantizëm partiak
- Shprehim indinjatën më të thellë dhe revoltën publike ndaj trajtimit çnjerëzor, të padrejtë dhe thellësisht të politizuar që po u bëhet personelit mjekësor të Spitalit Teknik, të cilëve u kanë përfunduar kontratat e punës dhe që, pavarësisht premtimeve të qarta dhe publike, nuk kanë marrë asnjë vendim pune.
Shkup, 22 dhjetor 2025
Shprehim indinjatën më të thellë dhe revoltën publike ndaj trajtimit çnjerëzor, të padrejtë dhe thellësisht të politizuar që po u bëhet personelit mjekësor të Spitalit Teknik, të cilëve u kanë përfunduar kontratat e punës dhe që, pavarësisht premtimeve të qarta dhe publike, nuk kanë marrë asnjë vendim pune.
Bëhet fjalë për punonjës që kanë shërbyer me vite të tëra (nga 2 deri në 10 vjet), shpesh edhe pa pagesë, madje edhe në periudhën më të vështirë gjatë pandemisë, kur sistemi shëndetësor mbahej në këmbë pikërisht falë sakrificës së tyre. Sot, këta njerëz përjashtohen dhe hidhen në rrugë, ndërsa vendimet e punës u jepen të sapopunësuarve, militantëve partiakë dhe të afërmve të VLEN-it dhe VMRO-së.
Kjo është tradhti morale, mashtrim politik dhe skandal shtetëror.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, drejtori i Spitalit dhe përfaqësues të VLEN-it, para zgjedhjeve erdhën disa herë në spital, u fotografuan dhe premtuan hapur vendime pune, duke manipuluar me djersën, mundin dhe shpresën e këtyre punonjësve. Sot, të njëjtët njerëz i shohim në protesta – të zhgënjyer, të përdorur dhe të hedhur poshtë ndërsa premtuesit heshtin pa asnjë ndjenjë përgjegjësie.
Kjo nuk është thjesht padrejtësi kjo është paturpësi politike.
I bëjmë thirrje urgjente Kryeministrit të vendit që të ndërhyjë pa asnjë vonesë në këtë skandal dhe ta thërrasë menjëherë në përgjegjësi Ministrin Azir Aliu, për të dhënë llogari publike:
• Si është e mundur që personel me vite shërbimi të përjashtohet?
• Kush i ka zëvendësuar dhe mbi çfarë baze?
• A është shëndetësia publike pronë e partive apo shërbim për qytetarët?
Kërkojmë përgjigje të drejtpërdrejta dhe veprime konkrete, jo arsyetime boshe. Dinjiteti i mjekëve, infermierëve dhe stafit shëndetësor nuk është material fushate, dhe shëndetësia nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra, fotografi dhe militantizëm partiak.
Aleanca për Shqiptarët
_________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: Arkivi i MIA-s