• вторник, 30 декември 2025

Arta Bilalli Zendeli: BDI propozon Marrëveshje kombëtare për përparim

Arta Bilalli Zendeli: BDI propozon Marrëveshje kombëtare për përparim

Shkup, 26 dhjetor 2025

Në një atmosferë të mbushur me akuza të ndërsjella, me shpikje armiqsh, me prodhim frikash dhe me helmim të qëllimshëm të opinionit publik, Kongresi i pestë i BDI-së zgjodhi një rrugë tjetër.

Në vend të nxitjes së frikës, ne hodhëm një litar shprese.

Në vend të thellimit të ndarjeve, ndërtuam një urë.

Në vend të vazhdimit të rrethit vicioz të apatisë, zhgënjimit dhe ikjes nga vendi, propozuam ndërprerjen e këtij zinxhiri.

Kjo është arsyeja pse Kongresi i BDI-së doli me propozimin për një Marrëveshje kombëtare për përparim.

Kjo nismë nuk është partiake. Nuk është etnike. Ajo është mbi të gjitha këto. Është një platformë mbarëshoqërore, mbi partitë, mbi konfliktet artificiale dhe mbi narrativat e frikës.

Për vite me radhë, vendi po mbahet peng nga frika fiktive, nga armiq imagjinarë dhe nga polarizime të prodhuara qëllimisht, vetëm për të ruajtur ose fituar pushtet. Ky model ka prodhuar stagnim, mungesë perspektive dhe emigrim masiv.

Ne besojmë se ka ardhur koha për ta ndalur këtë absurditet politik. 

Prandaj, Marrëveshja kombëtare për përparim propozohet si një platformë e përbashkët, ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, politika, shoqëria civile, biznesi dhe akademia bashkohen për të ndërtuar konsensus mbi zhvillimin, ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe cilësinë e jetës.

Kjo marrëveshje nuk synon të menaxhojë frikën, por të krijojë shpresë.

Nuk synon të prodhojë konflikte, por mundësi.

Nuk synon të ruajë status quo-në, por të hapë perspektivë për brezat që sot po largohen nga vendi.

Kongresi i BDI-së e bën këtë thirrje me bindjen se vendi nuk ka nevojë për më shumë armiq, po rpër më shumë marrëveshje. Jo për më shumë ndarje, por për më shumë përparim.

Ky është momenti për të ndërprerë zinxhirin e apatisë dhe për të ndërtuar një konsensus të ri kombëtar për prosperitetin.

Остани поврзан