• четврток, 25 декември 2025

Anita Topolova-Misajlovska është zgjedhur për u.d. prokuror publik shtetëror

Anita Topolova-Misajlovska është zgjedhur për u.d. prokuror publik shtetëror

Shkup, 22 dhjetor 2025 (MIA) - Anita Topolova-Misajlovska është zgjedhur për ushtrues detyre të prokurorit publik shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vendimi u mor unanimisht në seancën e sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Topolova-Misajlovska zëvendëson Lupço Kocevskin, i cili dha dorëheqje të parevokueshme më 17 dhjetor, pas së cilës Kuvendit të njëjtën ditë e konstatoi ndërprerjen e funksionit të tij.

Zgjedhja e u.d. prokuror publik shtetëror fillimisht u caktua më 19 dhjetor, por u shtye për shkak të mungesës së anëtares së Këshillit, Jelena Dogazanska Koleva, me qëllim që vendimi për këtë çështje të miratohet në përbërje të plotë. 

Anëtarja e Këshillit Keti Petkova, duke shpjeguar propozimin për zgjedhjen e Topolova-Misajlovskës, theksoi se bëhet fjalë për një vendim profesional dhe parimor, sepse, siç tha, ajo vazhdimisht ka kryer funksionin e Zëvendës-Prokurores Publike. Topolova Misajlovska ishte zëvendëse e Lupço Kocevskit, paraardhësit të tij Lubomir Joveski, si dhe atij para tij, Marko Zvërlevskit.

“Ajo në vazhdimësi ishte zëvendëse për 10 vjet, e njeh këtë funksion dhe mendoj se nuk do të jetë problem për të që ta kryejë detyrën për disa muaj, jo vetëm sepse e njeh të gjithë prokurorinë, por sepse është një vendim parimor”, tha Petkova.

Siç u theksua në seancë, Topolova-Misajlovska do ta kryejë këtë pozicion deri në emërimin e një prokurori të ri publik shtetëror, por jo më gjatë se gjashtë muaj.

Ushtruesi i detyrës përcaktohet nga radhët e prokurorëve publikë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas nenit 25, paragrafi 4 i Ligjit për prokurorë publik. Në seancë u theksua gjithashtu se, në përputhje me ligjin, Këshilli është i detyruar të sigurojë vazhdimësinë e punës së Prokurorit Publik të Republikës, në situata kur konstatohet dorëheqja e bartësit të funksionit ose skadimi i mandatit.

Ish-prokurori publik shtetëror Lupço Kovecski në konferencën për shtyp në të cilën e kumtoi vendimin e tij, theksoi se funksionin e ka kryer me nder dhe dinjitet, ndërsa dorëheqjen e ka dhënë për shkak të, "shpërfilljes së dukshme të parimeve mbi të cilat bazohet sundimi i ligjit".

Procedura për zgjedhjen e prokurorit publik shtetëror fillon me shpalljen e publikuar nga Kuvendi, me afat për aplikim prej 15 ditëve nga dita e publikimit në "Gazetën Zyrtare". Kandidatët duhet të kenë paktën 10 vjet përvojë pune të pandërprerë si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.

Pas aplikimit, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të paraqesë mendime të arsyetuara brenda 15 ditëve. Nëse Këshilli nuk jep një mendim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të konfirmojë propozim dhe i propozon Kuvendit të shpallë konkurs të ri. ls/

Foto: MIA

 

Остани поврзан