• сабота, 23 мај 2026

Ambasadori i Misionit të OSBE-së në Tiranë, Taran: Zëri i mediumeve duhet të dëgjohet

Ambasadori i Misionit të OSBE-së në Tiranë, Taran: Zëri i mediumeve duhet të dëgjohet

Tiranë, 18 maj 2026 (MIA) - Ambasadori i OSBE, Mishel Taran, në fjalën e tij të mbajtur sot në konferencën për lirinë e medias, tha se gazetaria nuk është thjesht një profesion apo një industri, por një shërbim për publikun, duke porositur se zëri i medias duhet të dëgjohet.

Ai vlerësoi rolin e gazetarëve dhe institucioneve mediatike në forcimin e demokracisë, duke theksuar se hapësira e informacionit po përballet me transformime të thella, përfshirë dezinformimin dhe ndikimin e teknologjisë.

Taran u përqëndrua edhe tek situata në Shqipëri, duke përmendur përparime në kuadrin ligjor dhe mbrojtjen e gazetarëve, por edhe sfidat që mbeten ende për t’u zgjidhur.

"Jam i lumtur të shoh një grup kaq të gjerë pjesëmarrësish të mbledhur sot këtu: gazetarë, ekspertë të medias, rregullatorë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, politikëbërës dhe kolegë të OSBE-së nga e gjithë rajoni. Ky kombinim i shkëlqyer perspektivash dhe përvojash do ta pasurojë konferencën gjatë dy ditëve në vijim. Tema e konferencës është shumë aktuale. Gazetaria nuk është vetëm një profesion apo industri. Gazetaria i shërben publikut, i ndihmon njerëzit të kuptojnë zhvillimet komplekse, të mbajnë institucionet përgjegjëse dhe të marrin pjesë në debatin demokratik të informuar", tha mes tjerash Taran.

Misionet e OSBE-së në të gjithë Evropën Juglindore, shtoi ai, duke punuar së bashku me kolegët në Vjenë, janë në një pozicion unik për të kontribuar në këtë përpjekje, përmes mbështetjes së lirisë së medias, forcimit të edukimit mediatik, rritjes së qëndrueshmërisë institucionale, mbështetjes së kuadrit ligjor dhe politikave, si dhe nxitjes së dialogut ndërmjet komuniteteve dhe përtej kufijve.

"Janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt përafrimit të mjedisit mediatik dhe informativ me standardet ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe adresimin e sfidave të kahershme të qeverisjes. Në këtë kontekst, kërkesat për transparencën e pronësisë së medias janë forcuar dhe kam besim se Autoriteti i Mediave Audiovizive do t’i zbatojë këto dispozita në frymën me të cilën janë miratuar", tha ambasador i OSBE-së në Tiranë.

Komuniteti mediatik në Shqipëri, potencoi ai, ndonëse jo i madh në numër, është i mirinformuar, aktiv dhe luan një rol jetik në debatin publik.

"Prandaj, është thelbësore që zërat e tyre të vazhdojnë të dëgjohen, të përfshihen dhe të marrin pjesë në mënyrë domethënëse në diskutimet për politikat. Me rëndësi të veçantë, në vitin 2025, autoritetet kombëtare identifikuan si një nga objektivat e tyre integrimin e edukimit mediatik dhe informativ në kurrikulat zyrtare arsimore. Ky është një hap i rëndësishëm dhe largpamës, të cilin Prezenca e OSBE-së po e mbështet aktivisht në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët përkatës", potencoi Taran. bsh/

 

 

 

 

Остани поврзан