• четврток, 25 декември 2025

Ambasada e SHBA-së për MIA-n konfirmoi se Ageler po largohet nga vendi

Ambasada e SHBA-së për MIA-n konfirmoi se Ageler po largohet nga vendi

Shkup, 22 dhjetor 2025 (MIA) – Ambasadorja Anxhela Ageler është ndër diplomatët nga karriera që janë revokuar si pjesë e vendimit të fundit të Presidentit Donald Tramp që përfshin ndryshimin e rreth 30 ambasadorëve të SHBA-së.

“Jemi thellësisht mirënjohës ndaj ambasadores Ageler për shërbimin e saj në Maqedoninë e Veriut gjatë tre viteve të fundit dhe jemi të përkushtuar për të siguruar një tranzicion të pandërprerë dhe efektiv që i jep përparësi misionit të SHBA-së dhe marrëdhënieve tona diplomatike”, thuhet në deklaratën e Ambasadës për MIA-n. 

Ambasada thekson se do të vazhdojë të funksionojë normalisht gjatë këtij procesi.

Siç transmetoi më parë MIA, administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, ndryshon 30 diplomatë nga karriera nga pozita të ambasadorëve dhe të tjera në ambasada. 

Departamenti i Shtetit nuk komentoi mbi numrin specifik të kuadrit apo ambasadorëve të prekur, por tha se ky ishte një proces standard në çdo administratë. Siç u tha, ambasadori është "një përfaqësues personal i presidentit dhe është prerogativë e presidentit të sigurojë që ka individë në këto vende që çojnë përpara agjendën e tij 'Amerika e para'".

Më së shumti e goditur nga ndryshimet është Afrika, ku janë tërhequr ambasadorët nga 13 vende – Burundi, Kameruni, Ishujt e Kepit të Gjelbër, Gaboni, Bregu i Fildishtë, Madagaskari, Mavriciusi, Nigeria, Nigeri, Ruanda, Senegali, Somalia dhe Uganda. 

Në vendin e dytë është Azia me ndryshime të ambasadorëve në gjashtë vende – Fixhi, Laos, Ishujt Marshall, Guinea Papa e Re, Filipinet dhe Vietnami. 

Në Evropë, ndryshime do të ketë në Armeni, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovakia. 

Në Lindjen e Afërt në dy shtete – Algjeria dhe Egjipti, aq sa edhe në Azinë e Jugut dhe Qendrore – në Nepal dhe Sri Lankë, si dhe në Hemisferën Perëndimore – në Guatemalë dhe Surinam. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан