• недела, 05 април 2026

Është një iluzion që IA-në duhet ta "dëgjojmë" për çdo temë, nevojitet përdorim etik dhe i përgjegjshëm

Është një iluzion që IA-në duhet ta

Gjevgjeli, 4 prill 2026 (MIA) -

Rosa SHULEVA

Një përqind e lartë prej 80 për qind e fëmijëve përdorin inteligjencën artificiale (IA) si vegël të përditshme, e madje një e treta e tyre i konsiderojnë botet për bisedë si "miqtë e tyre të vërtetë". Këtë para do kohë e publikoi media britanike "Mirror", pas një hulumtimi të kryer nga një operator i famshëm i telekomunikimit në të cilin kanë marrë pjesë 1.000 të anketuar nga Britania të moshës nga 11 deri në 16 vjeç. Me këtë rast është bërë e ditur se çat botet janë përdorur në bazë ditore, më së shpeshti për të dhënë këshilla në situata të vështira dhe komplekse ose për të ndihmuar me ndonjë kujdes ose ankth që e kanë fëmijët.

Me përdorimin e këtillë të inteligjencës artificiale, menjëherë shfaqet në sipërfaqe iluzioni i parë, e ky është se ne mund të pyesim IA-në çfarë të duam, kur të duam dhe të diskutojmë për çdo temë", shprehet Sanja Stavrov, psikologe e licencuar.

"Për fat të keq, prindërit janë pikërisht ata që filluan me trendin e këtillë të përdorimit të IA-së (më trego për motin, më shiko në filxhanin e kafesë, çfarë mendon për mua si person, etj.), gjë që realisht nuk është funksioni i saj. IA-ja në fakt funksionon si mbështetje e jashtme kognitive, respektivisht mundëson përpunim më të shpejtë të informacioneve, organizim më të mirë të njohurive, gjenerim të ideve dhe perspektiva alternative. Shikuar nga aspekti psikologjik, kjo është një formë e zgjerimit kognitiv, respektivisht, teknologjia bëhet vazhdimësi e procesit të të menduarit", sqaron psikologu Stavrov.

Hulumtimi britanik tregoi se pjesa më e madhe e fëmijëve u besojnë çat boteve informacione rreth vetes, që ata nuk do t'i ndanin me prindërit, mësimdhënësit ose shokët, e madje 86 për qind veprojnë sipas këshillës që atyre ua jep inteligjenca artificiale. Arsyeja për këtë, sipas përgjigjeve të adoleshentëve, është fakti se çat botet janë gjithmonë në dispozicion, me to është e lehtë të bisedohet dhe tingëllojnë mbështetës.

"Mund të shfaqet edhe ndikim psikologjik dhe emocional, respektivisht IA mund të mund të krijojë iluzionin e mirëkuptimit dhe ndjeshmërisë, sepse komunikon në mënyrë gjuhësore (në gjuhën e folur nga përdoruesi), jep përgjigje të strukturuar dhe logjike, dhe ajo që është më e rëndësishmja - reagon shpejt. E gjithë kjo mund të çojë në një ndjenjë pozitive të mbështetjes, duke zvogëluar stresin gjatë zgjidhjes së një problemi, me rrezik potencial të varësisë emocionale, duke zëvendësuar komunikimin njerëzor dhe duke përvetësuar besim tepër të madh në një algoritëm", thekson psikologu.

Përveç kësaj, janë të shpeshta reagimet publike të prindërve, por edhe të punësuarve në sistemin arsimor se shënon rritje praktika e nxënësve në pjesën më të madhe gjatë kryerjes së detyrave të shtëpisë të mbështeten në IA, pa e përdorur atë si vegël që do të ndihmojë vetëm në kryerjen e tyre, por më shumë si produkt i gatshëm nga i cili do të marrin vetëm përgjigjen. Për një situatë të ngjashme para do kohë bëri të ditur edhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD),

e cila doli me qëndrimin se inteligjenca artificiale ka gjetur zbatim të dobishëm në arsim, por ekziston rreziku i shkaktimit të përtacisë intelektuale tek nxënësit, e në artikuj të tjerë publikë për temë të njëjtë theksojnë se përdorimi joadekuat i IA-së tërheqë edhe rënie të mendimit të pavarur kritik tek adoleshentët.

"Kur flasim për gjeneratat e reja dhe marrëdhëniet e tyre me inteligjencën artificiale, duhet të jemi të sinqertë se ata rriten në një botë krejtësisht të ndryshme nga e jona. Është një botë ku dija është brenda mundësive, por mençuria ende duhet të ndërtohet. Inteligjenca artificiale padyshim sjell përfitime të mëdha dhe lejon qasje më të shpejtë deri te informacionet, nxënie të personalizuar dhe mbështetje për nxënësit që dikur kanë pasur vështirësi në qasjen deri te burimet. Në këtë kuptim, hap derën për një edukim më demokratik dhe inkluzion më të madh. Por, këtu vjen sfida kryesore, dhe nëse nuk menaxhohet siç duhet, IA-ja mund të krijojë breza që dinë "si të marrin një përgjigje", por jo "si ta arrijnë te ajo". Dallimi është thelbësor, meqë një gjë është përdorimi i veglës, e tjetër është ndërtimi i personalitetit", konsideron Goce Bumbaroski, një konsulent arsimor dhe ish-mësimdhënës.

Ai pajtohet me vërejtjet e OECD-së se ekziston rrezik real i zhvillimit të përtacisë intelektuale dhe thekson se roli i prindërve dhe mësuesve është më i rëndësishëm sot se kurrë.

"Kur fëmija mësohet me faktin se zgjidhja është vetëm një klikim larg, motivimi për të menduar, hulumtuar dhe dyshuar gradualisht zvogëlohet. Dhe këto janë themelet e dijes së vërtetë. Prandaj, nuk është e mjaftueshme t'i mësoni fëmijët të përdorin teknologjinë sepse ata e dinë atë ose do ta mësojnë gjithsesi. Detyra jonë është t'i mësojmë ata të mendojnë, të bëjnë pyetje dhe të bëjnë dallimin midis "e di" dhe "më kanë thënë." Nëse duam fëmijë që do të jenë mendimtarë të pavarur, të përgjegjshëm dhe kritikë, atëherë duhet ta trajtojmë IA-në si vegël – jo si zëvendësim për mendimin", shton Bumbaroski.

Psikologët gjithashtu pajtohen se ashtu siç i ka inteligjenca artificiale përfitimet e saj nëse nuk abuzohet, ajo gjithashtu ka efekte dhe rreziqe potenciale negative.

"Për shembull, mund të shfaqet përtacia kognitive, rënia e të menduarit analitik, aftësia e zvogëluar për të zgjidhur në mënyrë të pavarur problemet, kalimi kognitiv, respektivisht njerëzit kalojnë detyrat mendore në teknologji, ndërsa zvogëlohen procesi i nxënies dhe kujtesës, si edhe shprehitë e hulumtimit. Nga ana tjetër, ndikimi profesional nga IA-ja është i mirëpritur, veçanërisht në përgatitjen e materialeve, analizimin e informacioneve, krijimin e planeve dhe programeve. Por këtu është shumë e rëndësishme të dimë se si ta përdorim këtë mjet për shkak të çështjeve etike, autorësisë së materialeve, plagjiaturës, marrjes së informacionit jokritik, shpërndarjes së dezinformatave, manipulimit të informacioneve dhe varësisë digjitale", shprehet psikologu Stavrov.

Si konkluzion përfundimtar, ajo shprehet se inteligjenca artificiale nuk është zëvendësim për inteligjencën njerëzore, por instrument kognitiv ashtu siç kalkulatori është instrument për matematikën dhe prandaj duhet të përdoret në mënyrë të përgjegjshme dhe etike.

Foto: arkivi i MIA-s/arkivi privat i Sanja Stavrovës dhe Goce Bumbaroskit

Остани поврзан