Çmimet e naftës rriten edhe më tutje përderisa Irani bllokon rutë detare jetike
- – Çmimet e naftës edhe më tutje u rritën pas intensifikimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pasi Irani mori hapa për bllokimin e rutës detare jetike për tankerë me naftë të papërpunuar.
Londër, 3 mars 2026 (MIA) – Çmimet e naftës edhe më tutje u rritën pas intensifikimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pasi Irani mori hapa për bllokimin e rutës detare jetike për tankerë me naftë të papërpunuar.
Nafta brent sot u rrit për më shumë se tre për qind, duke arritur nivelin më të lartë në vitin e fundit prej 80 dollarë për barel, pasi në një moment të hënën u rrit madje për 13 për qind, duke tejkaluar 82 dollarë për barel, para se të tërhiqet pak.
Një përfaqësues zyrtar iranian gjoja i ka paralajmëruar tankerët në Ngushticën e Hormuzit se asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë, si pjesë e përgjigjes për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj vendit. Ngushticën e Hormuzit e shfrytëzojnë tankerë të cilët transportojnë rreth një të pestën e rezervave botërore të naftës dhe gazit detar.
Çmimet e gazit dje gjithashtu u rritën me ritëm më të shpejtë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, për 52 për qind, pasi Katari e ndërpreu prodhimtarinë e gazit natyror të lëngshëm pas sulmeve nga ana e Iranit.
Rritjet kanë shkaktuar paralajmërime për rritje të ndjeshme të benzinës dhe faturave të energjisë, të cilat mund të kenë ndikimin e tyre mbi familjet britanike në muajt në vijim. Tregjet financiare ishin gjithashtu në trazira, me indeksin FTSE 100 të Londrës që përfundoi të hënën me rënie prej 1,2 për qind, ndërsa rënie të mëtejshme priten pas hapjes së tregut sot.
Në Uollstrit, bursat amerikane i kompensuan shumicën e humbjeve dhe ditën e djeshme e përfunduan pa ndryshime, por gjithashtu për sot parashihet rënie gjatë tregtisë së paqëndrueshme. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s