• e diel, 22 dhjetor 2024

Zjarri mbi Ajvatovc pjesërisht nën kontroll

Zjarri mbi Ajvatovc pjesërisht nën kontroll

Shkup, 26 gusht 2023 (MIA) - Zjarri në vendin Ajvatovc është ende aktiv dhe nën kontroll të pjesshëm. Në dy pjesë të saj ende ka zjarr të fuqishëm, ku janë përfshirë drunj dhe sipërfaqe pyjore. Zjarrfikësit do të përpiqen që në periudhën e ardhshme ta vënë nën kontroll situatën, deklaroi sonte drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angellov.

Nëse zjarri nuk vihet nën kontroll, ai paralajmëroi se nesër do të intervenohet me helikopterë të policisë dhe aeroplanë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Kryetari i Komunës së Ilindenit, Aleksandar Gjorgievski deklaroi se zjarri është ende i rrezikshëm dhe se situata do të ndiqet gjatë gjithë natës.

"Në orët e pasdites në territorin e komunës së Ilindenit në vendet si Ajvatovc, Mërshinc, Buçinc, Bujkovci si dhe në komunën fqinje të Haraçinës ka shpërthyer zjarr i fuqishëm që ka përfshi mbi 100 hektarë pyje, kryesisht pisha, ndërsa llogaritet se janë djegur 20 deri në 30 hektarë sipërfaqe. Ka pasur situata kritike kur është kërcënuar manastiri në Ajvatovc dhe fshati Ajvatovc. Mirënjohje ndaj gjithë qytetarëve që erdhën, zjarrfikësve, QMK-së, DMSH-së që së bashku me helikopterët ndihmuan në shuarjen e zjarrit, aq sa është mundur të lokalizohet", deklaroi kryetari i Ilindenit.

Sipas QMK-së, zjarre në orët e pasdites kanë shpërthyer edhe afër fshatit Umovë në territorin e Komunës së Studeniçanit dhe afër fshatit Rashçe të Komunës së Sarajit, ndërsa është shuar zjarri në komunën Çeshinovë- Obleshevë dhe Probishtip.

Foto: QMK

QËNDRONI TË LIDHUR