• e martë, 19 nëntor 2024

Zhoao Kravinjo emërohet përfaqësues i ri special i BE-së për rajonin e Sahelit

Zhoao Kravinjo emërohet përfaqësues i ri special i BE-së për rajonin e Sahelit

Bruksel, 18 nëntor 2024 (MIA) - Këshilli i BE-së sot emëroi ish ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë, Zhoao Gomesh Kravinjo për përfaqësues të ri special të Bashkimit Evropian për rajonin e Sahelit, një post që ai do ta marrë nga Emanuela Klaudia Del Re.

Siç njoftoi Këshilli, Kravinjo do të ngarkohet të kontribuojë në mënyrë aktive në përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për të arritur paqen e qëndrueshme, sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në këtë rajon afrikan i cili përfshin Burkina Fason, Mauritaninë, Malin, Nigerinë dhe Çadin.

"Përfaqësuesi special i BE-së do të angazhohet gjithashtu me vendet e pellgut të liqenit të Çadit dhe shtete të tjera dhe entitete rajonale ose ndërkombëtare nga dhe përtej rajonit, si ato nga rajonet e Magrebit dhe Gjirit të Guinesë dhe me vendet fqinje të prekura nga ngjarjet në Sahel", thuhet në kumtesë. 

Kravinjo do të marrë detyrën e re më 1 dhjetor, me një mandat fillestar prej 21 muajsh.

Ai ka qenë shef i diplomacisë portugeze nga viti 2022 deri në vitin 2024, ndërsa më parë ka qenë ministër i Mbrojtjes kombëtare, ambasador i BE-së në Brazil dhe Indi dhe sekretar shtet për punë të jashtme dhe bashkëpunimin të Portugalisë. Gjatë karrierës së tij, Kravinjo ishte ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin në Koimbra dhe kryetar i Institutit portugez për bashkëpunim. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR