• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Ekipi i Trampit me kritika të ashpra ndaj vendimit të Bajdenit për armët në Ukrainë

Ekipi i Trampit me kritika të ashpra ndaj vendimit të Bajdenit për armët në Ukrainë

 Uashington, 19 nëntor 2024 (MIA) - Aleatët e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trampit kanë kritikuar ashpër vendimin e presidentit  Xho Bajdenit për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa amerikane me rreze të gjata veprimi për sulme në Rusi, duke e akuzuar atë për përshkallëzim serioz.

Bajdeni, të cilit i kanë mbetur edhe dy muaj nga mandati i tij, ka ndryshuar ndjeshëm politikën e vendit duke iu dorëzuar një kërkese shumëvjeçare të Ukrainës, e cila pothuajse tre vjet po lufton kundër pushtimit rus. 

Politika e re dhe premtimi i Bajdenit  se do ta përshpejtojë ndihmën ushtarake për Ukrainën vjen derisa SHBA-ja përgatitet për inaugurimin e Trampit në janar, i cili ka vënë në pikëpyetje ndihmën amerikane për Kievin. 

 Trampi disa herë  ka premtuar se do t'i japë fund luftës, por nuk ka thënë se si do ta bëjë këtë.

Moska ka premtuar një përgjigje "përkatëse" nëse raketat amerikane përdoren vërtet kundër Rusisë, dhe ekipi i Trampit ka akuzuar Bajdenin për përshkallëzim të luftës për arsye politike. 

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Metju Mileri, në brifingun e përditshëm e akuzoi Rusinë për përshkallëzim pasi pranoi vendosjen e trupave të Koresë së Veriut të luftojnë kundër forcave ukrainase. 

 Mileri theksoi se Bajdeni, e jo Trampi, është ende presidenti i SHBA-së.

 Majk Uolc, nga ana tjetër, të cilin Trampi e ka zgjedhur këshilltar për sigurinë kombëtare, thotë se "është një tjetër shkallë në shkallët e përshkallëzimit dhe askush nuk e di se ku po shkon kjo".

"Askush nuk e priste që Xho Bajdeni do të përshkallëzonte luftën në Ukrainë gjatë periudhës kalimtare. Kjo është si fillimi i një lufte të re", ka shkruar në platformën sociale X  Riçard Greneli, i cili ishte ushtrues detyre i drejtorit të agjencisë së inteligjencës (DNI) gjatë mandatit të parë të Trampit.  

 "Tani gjithçka ka ndryshuar, të gjitha llogaritjet e mëparshme tani janë të pavlefshme. Dhe këtë e bën politika", tha Greneli.

Ai për momentin nuk ka një pozicion në administratën e ardhshme, por emri i tij doli në diskutimet për një sekretar të mundshëm të shtetit përpara se Trampi të vendosë përfundimisht të zgjedhë senatorin Marko Rubio. 

 Donald Trampi Junior iu bashkua kritikave, duke shkruar në X: "Duket se kompleksi industrial ushtarak dëshiron të kujdeset që të fitojë në Luftën e Tretë Botërore përpara se babai im të ketë një shans për të bërë paqe dhe për të shpëtuar jetë".

"Ai është i vetmi person që mund të sjellë të dyja palët në tryezë për të negociuar paqen dhe për të punuar për t'i dhënë fund luftës dhe për të ndaluar vrasjet", tha zëdhënësi i Trampit, Stiven Çeung. 

Foto: EPA 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR