• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj të vitit 2025

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj të vitit 2025

Tiranë, 5 dhjetor 2024 (MIA) – Presidenti shqiptar Bajram Begaj sot nënshkroi dekret me të cilin zgjedhjet parlamentare në vend do të mbahen më 11 maj të vitit 2025.

Për këto zgjedhje, të 11-ta me radhë pas rënies të regjimit totalitar, presidenti kishte në dispozicion katër data (ditë të të dielave) nga 15 prilli deri më 15 maj të vitit 2025. 

"Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ-ja) për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit", qëndron në kumtesën e kabinetit të presidenti Begaj.

Shtohet se "Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë".

"Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet, si dhe qëndrimin e KQZ-së", theksohet mes tjerash në kumtesë. 

Konsultimet me partitë politike Begaj i filloi më datën 19 të muajit të kaluar me takimin me katër partitë më të vogla politike, të cilat i propozuan që zgjedhjet të jenë më 4 maj. 

Demokratët opozitarë e refuzuan ftesën duke vlerësuar se “gjithçka është farsë sepse data tashmë është caktuar nga Edi Rama”. Qëndrimi i Partisë së Lirisë së Ilir Metës ishte se “pajtohet me cilëndo datë, vetëm jo me atë të cilën do ta propozojnë socialistët”. 

Konsultimet i përfundoi më 25 nëntor me takimin me Socialistët të cilët e propozuan 11 majin “që të ketë më shumë kohë për përgatitje për votim të diasporës”. 

Ditën e njëjtë Begaj u takua edhe me Celibashin i cili pas takimit deklaroi shkurt se “11 maji është data më adekuate, sepse jep kohë shtesë që të përgatiten për zgjedhjet”. 

Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin mbajtur më 26 prill të vitit 2021, kur socialistët fituan 77 nga gjithsej 140 vende të deputetëve. 

Që nga viti 2013 në të gjitha ciklet zgjedhore fiton partia e Edi Ramës. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR