• e hënë, 23 dhjetor 2024

Xhaferi: Demokracia parlamentare mund të rezultojë të jetë çelësi për zgjidhjen e problemeve komplekse

Xhaferi: Demokracia parlamentare mund të rezultojë të jetë çelësi për zgjidhjen e problemeve komplekse

Shkup, 12 shtator 2023 (MIA) - Diplomacia parlamentare është një tjetër mjet i fuqishëm që besoj se mund të jetë vendimtar për zgjidhjen e problemeve komplekse siç janë çështjet e hapura dhe konfliktet, duke pasur parasysh mundësinë e dialogut mes deputetëve dhe gjetjes së zgjidhjeve potenciale, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në fjalimin hyrës në konferencën "Avancimi i Procesit të Berlinit përmes Diplomacisë Parlamentare” që mbahet sot dhe nesër në Kuvend.

Diplomacia parlamentare, theksoi ai, ofron një mundësi unike për të ndërtuar ura midis vendeve dhe deputetëve që kanë origjinë, kultura dhe tradita të ndryshme me qëllimin përfundimtar të krijimit të sinergjive në lidhje me çështjet strategjike me interes të përbashkët.

"Procesi i Berlinit në vete përmban një ndërthurje të një simbolike të madhe, gjegjësisht, i bashkon pajtimin; integrimin evropian, ndërlidhjen rajonale të ndërsjellë më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor; tejkalimin e çështjeve të hapura, bashkëpunim më të madh ndër të rinjtë; organizatat civile dhe biznes bashkësinë; mbështetjen nga vendet tjera evropiane pjesëmarrëse në këtë proces dhe zotimin e tyre për afrimin e rajonit kah anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Në dekadën e kaluar, jemi dëshmitarë për sukseset, për marrëveshjet e nënshkruara dhe projektet konkrete që zbatohen në kuadër të Procesit të Berlinit në më shumë nivele, ku megjithatë, mungonte dialogu parlamentar. Për këto arsye, dua që veçanërisht ta përshëndes nismën e Samitit të Poznanit në vitin 2019, për përforcimin e dimensionit parlamentar të procesit dhe tërthorazi, për inkuadrim më të madh të qytetarëve në këtë dialog. Me këtë, kemi kontribut dhe dinamizim më të madh të aktiviteteve të planifikuara.

Theksoi se avancimi dhe pasurimi i bashkëpunimit rajonal parlamentar, përfshirë edhe bashkëpunimin me deputetët e parlamenteve nacionale të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, paraqet një vlerë të shtuar e cila mundet konsiderueshëm të kontribuojë në këmbimin e ideve dhe përvojave, me të cilat do e përmirësojmë cilësinë e zgjidhjeve ligjore të cilat si të zgjedhurit e popullit i nxjerrim, dhe të cilat rrjedhin nga marrëveshjet e lidhura në suazat e këtij procesi. Në plotësim, edhe për përforcimin e rolit tonë mbikëqyrës mbi zbatimin e legjislacionit të miratuar.

"Jemi të vetëdijshëm se në mënyrë gjeografike, strategjike dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve, si rajon jemi të predispozuar të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, sapo ti përmbushim kushtet e duhura për anëtarësim. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm se në atë rrugë, të gjithë ne individualisht dhe në mënyrë kolektive jemi të drejtuar para shumë sfidave të natyrës së ndryshme. Nga përvoja e zgjerimeve paraprake, doemos të pranojmë se doemos ti menaxhojmë dhe të gjejmë zgjidhje të pranueshme për të gjitha çështjet që trajtohen si të hapura dhe paraqesin pengesë në këtë rrugë. Ajo që duhet të jetë udhërrëfyesi ynë në zbatimin e reformave të domosdoshme është anëtarësimi, sidomos i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në turnet e fundit të zgjerimeve dhe parametrat statistikore për përfitimet nga aderimi në Bashkimin Evropian deri sot, për vendet dhe për qytetarët e tyre", theksoi Xhaferi.

Kryetari i Institutit për Demokraci IDSCS, Marko Troshanovski, tha se stafi parlamentar është kujtim institucional i procesit të demokratizimit dhe bashkëpunimit rajonal në rajonin tonë. Ai e konsideroi konferencën si një ngjarje fillestare për një partneritet joformal ndërmjet kuvendeve në rajon dhe organizatave joqeveritare nga rajoni të cilat vendosën të punojnë së bashku drejt një zbatimi më të mirë të angazhimeve nga procesi i Berlinit dhe drejt përfshirjes më të madhe lokale në proces dhe përfshirjen e kanaleve të diplomacisë parlamentare.

"Debati për zgjerimin dhe thellimin është ndoshta thelbësor për të ardhmen e Evropës, por është gjithashtu i një rëndësie ekzistenciale për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor sepse vlen për realitetin tonë të brendshëm rajonal. Me zgjerimin e procesit të anëtarësimit në BE, Ballkani në një mënyrë do të bëhet më i gjerë dhe do të rritet në atë mënyrë që të bëhet pjesë e territorit të BE-së. Në procesin e thellimit, ne duhet të arrijmë një nivel të caktuar përgatitjeje për të nisur më efektivisht rrugën drejt anëtarësimit në BE. Procesi i Berlinit na mundëson ta bëjmë këtë. Që nga viti 2014, kur filloi ai proces, qeveritë kanë marrë një numër të madh të zotimeve, disa prej të cilave janë realizuar, por zbatimi i plotë ende në njëfarë mënyre ngec", theksoi Troshanovski.

Prandaj, siç tha ai, Samiti i Poznanit njohu rëndësinë e kuvendeve si platforma për përfshirje në Procesin e Berlinit, i cili sjell përfitime jo vetëm për uljen e kostove të roamingut, por ka edhe përfitime të tjera për të cilat njerëzit nuk janë të vetëdijshëm.

"Prandaj vendosëm së bashku me organizatat joqeveritare, stafin parlamentar dhe deputetët në dy vitet e ardhshme të punojmë për të arritur ambiciet e procesit të Berlinit. Do të punojmë në marrëveshje për mobilitet të lehtësuar, për treg të përbashkët, agjendë të gjelbër", tha Troshanovski.

Ambasadorja gjermane Petra Dreksler theksoi se deputetët i njohin më së miri dëshirat dhe nevojat e qytetarëve sepse janë më afër tyre.

"Bashkëpunimi rajonal bazohet në takimet mes njerëzve dhe për këtë duhet të krijojmë kushte të favorshme që këto aktivitete të zhvillohen", tha Dreksler. ls/ 

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR