• e hënë, 23 dhjetor 2024

VMRO-DPMNE: Ende nuk ka marrëveshje konkrete me ZNAM, bisedimet zhvillohen në frymën pozitive

VMRO-DPMNE: Ende nuk ka marrëveshje konkrete me ZNAM, bisedimet zhvillohen në frymën pozitive

Shkup, 26 maj 2024 (MIA) - Ende nuk ka marrëveshje konkrete, atë që mund ta ndaj është se bisedimet po zhvillohen në frymë pozitive, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse Lëvizja ZNAM bëhet pjesë e Qeverisë dhe cilat dikastere do t'i merrnin.

Mbrëmë vonë nga Lëvizja ZNAM informuan se ishte mbajtur takim për bashkëpunim me VMRO-DPMNE në nivel të nënkryetarëve të partive, në të cilin është biseduar për përcaktimet strategjike, parimet politike dhe platformën politike për bashkëpunim.

"Lëvizja ZNAM - Për Maqedoninë tonë, platformën e saj e bazon në shtyllat ideologjike të Lëvizjes ZNAM - Për Maqedoninë tonë, që janë Maqedonia shtet modern, demokratik, evropian i bazuar në vlerat e Ilindenit dhe KAÇKM-së, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian në mënyrë dinjitoze; pastaj Republika e Maqedonisë shtet në të cilin ka drejtësi për të gjithë dhe zero tolerancë për korrupsionin; Maqedonia si shtet i vetëqëndrueshëm që do të prodhojë ushqim dhe energji të mjaftueshme për nevojat e saj, reforma të përshpejtuara dhe efikase në ekonomi dhe politikat sociale në drejtim të përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve si dhe marrëdhënie të qëndrueshme ndëretnike", thuhet në kumtesën e ZNAM-it.

Më parë dje, nga VMRO-DPMNE informuan se bisedimet me partnerët e koalicionit për Qeverinë e ardhshme janë në fazë të avancuar, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare dhe deri në momentin zyrtar kur do të mund të shpallet nuk do të njoftojmë kurrfarë detajesh.

VMRO-DPMNE më parë doli me qëndrimin se kanë konsoliduar 61 deputetë. Qeveria e re, siç paralajmëruan më parë nga VMRO-DPMNE pritet të formohet deri më 20 qershor.

Seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare është caktuar për të martën më 28 maj. Në përbërjen e re parlamentare koalicioni "Maqedonia juaj" i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka më së shumti deputetë - 58, koalicioni Për një të ardhme evropiane i udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë, koalicioni i Frontit Evropian i udhëhequr nga BDI ka njëjtë 18 deputetë, koalicioni VLEN 14, Levica gjashtë dhe ZNAM gjashtë deputetë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR