VLEN për 1 vit qeverisje: Treguam se qeverisja e vërtetë ka fuqinë për të transformuar jetën e çdo qytetari
- Liderët e VLEN-it pasditen e sotme mbajtën konferencë për shtyp me rastin e njëvjetorit të qeverisjes.
- Post By Fami Bajrami
- 21:02, 4 korrik, 2025
Shkup, 4 korrik 2025 (MIA)- Liderët e VLEN-it pasditen e sotme mbajtën konferencë për shtyp me rastin e njëvjetorit të qeverisjes.
Me këtë rast zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti njëherësh kryetar i Lëvizjes Demokratike (LD) tha se si qeveri kanë shënuar një fitore të madhe duke i dhënë fund një epoke kriminale që rrjepi qytetarët!
"E fituam luftën kundër industrisë së kazinove e bixhozit që për dekada shkatërronte familjet dhe ekonominë tonë", tha Mexhiti.
Në vetëm një vit, krahas projekteve madhore, siç tha Mexhiti, kemi ndërtuar drejtësi.

"Krahas investimeve, kemi rikthyer besimin. Nuk përmbyllëm vitin vetëm me fjalë të bukura, por me vepra konkrete. Treguam se qeverisja e vërtetë ka fuqinë për të transformuar jetën e çdo qytetari", tha ai.
Sipas Mexhitit, ky ka qenë viti i transformimit të plotë ekologjik, me projekte konkrete dhe financim të garantuar.
"Siguruam 52.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian përmes parafinancimit IPA. Kemi nisur hartimin e një Plani kombëtar për mjedisin, me objektiva të qarta dhe afate konkrete", tha ai.

Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, në panelin e organizuar nga VLEN për kremtimin e një vjetorit të qeverisjes së re radhiti të arriturat e VLEN si partnerë të kësaj përbërje qeveritare.
Sipas Fetait bëhet fjalë për një sërë projektesh e punë konkrete që janë bërë për vetëm brenda këtij viti.
“Ne për 365 ditë i bindëm miqtë tanë ndërkombëtarë se kjo gjeneratë e shqiptarëve sot në VLEN nuk e shpërdoron pozitën. Nuk e vjedh rrogën e nëpunësit. Nuk e nënçmon arsimtarin. Nuk e nëpërkëmb bujkun. Nuk ushtron presion mbi gjykatat siç bënin ata para nesh. Nuk ndryshon Kodin penal për të amnistuar korrupsionin politik. Dhe pikërisht për këtë, për herë të parë, partnerët tanë ndërkombëtarë na shohin si partnerë të denjë", tha ai.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se gjatë një viti qeverisje me VLEN janë realizuar investime të rëndësishme që po sjellin vende të reja pune dhe përmirësim të jetës për qytetarët.

Sipas Kasamit, qeveria ka ndihmuar bizneset dhe ka tërhequr investime të huaja në zona industriale në mbarë vendin, ku dhjetëra kompani kanë nisur ose paralajmëruar investime që do të hapin qindra vende pune.
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në panelin e organizuar nga VLEN tha sesa i takon arsimit, gjëja e parë që e bëri kjo qeveri ishte që shfaqi respekt maksimal për arsimtarët, madje si asnjë qeveri më parë dhe si asnjë pushtet në të kaluarën.

“Kjo qeveri, natyrisht me meritë të veçantë të ministrit i rriti pensionet për 5000 denarë, gjë që ka qenë një ëndërr për shumë pensionistë për vite të tëra duhej të kënaqeshin me rritjet e 500 denarëve që i bënin qeveritë e kaluara", tha Ibrahimi.
Një nga drejtuesit e VLEN-it, Bekim Qoku, madje tha se me një vit qeverisje kanë përmbysur rrënimin e shtetit.

“Një vit më parë, më 8 maj ndodhi një përmbysje historike. Pas 23 vitesh monopol njëpartiak, populli foli dhe një regjim që kishte uzurpuar shtetin, drejtësinë dhe dinjitetin qytetar u rrëzua. Dhe, me këtë qasje dhe me këto figura politike, ky rejgjim do të mbesë përtokë edhe një kohë shumë të gjatë", tha Qoku.