Vazhdoi gjykimi për vrasjet e Vanjës dhe Pançes, dëshmitari Goce Trajkovski ende i pakapshëm
- – Gjykata Themelore Penale Shkup e refuzoi si të pabazë kërkesën për përjashtimin e gjykatësit Ivica Stefanovski, të parashtruar nga i akuzuari i parë Lupço Palevski Pallço.
- Post By Fitore Curri
- 11:02, 20 janar, 2025

Shkup, 20 janar 2025 (MIA) – Gjykata Themelore Penale Shkup e refuzoi si të pabazë kërkesën për përjashtimin e gjykatësit Ivica Stefanovski, të parashtruar nga i akuzuari i parë Lupço Palevski Pallço.
Palevski, në seancën e kaluar kërkoi përjashtimin e gjykatësit Ivica Stefanovski, sepse, siç tha, bëhet fjalë për konspiracion ndërmjet gjykatës, policisë dhe Prokurorisë. Sipas Palevskit, është e palejuar që gjykatësi të mos interesohet për gjetjen e armës me të cilën janë kryer të dyja vrasjet, ndërsa gëzhoja e gjetur në afërsi të Velesit të mos dorëzohet si dëshmi.
Rasti gjendet në procedurën e dëshmive dhe duhet të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive materiale nga Prokuroria.
Gjykatësi në fillim të seancës informoi se ka marrë njoftim nga MPB se dëshmitari Goce Trajkovski nuk është i kapshëm për organet e rendit.
Prokurorja Zhaklina Trajkovska, tha se Prokuroria nuk e tërheq propozimin për hetimin e tij, sepse, siç tha, ekziston mundësia që deri në fund të procedurës të bëhet i kapshëm dhe të hetohet për rrethana të cilat janë të rëndësishme për procedurën.
I akuzuari Lupço Palevski Pallço, në fillim në Gjykatë parashtroi padi për dëshmi të rreme kundër dëshmitarit të Prokurorisë Eroll Osmani, për çka tha se do të dorëzojë edhe dëshmi.
Në seancën e kaluar, prokurorja Zhaklina Trajkovska në një përmbajtje të shkurt para Gjykatës sqaroi 180 prej gjithsej 197 dëshmive, të cilat kanë të bëjnë me lokacionet ku ishin gjetur viktimat, gjetjet nga mbikëqyrjet e organeve hetuese, gjurmët e gjetura, gjetjet e autopsisë, si dhe raporte nga ekspertizat psikiatrike.
Siç bëri të ditur prokurorja, viktimat ishin vrarë me plumb në kokë nga afërsia, me kalibër të njëjtë të plumbit prej 9 milimetra, duke theksuar se autopsia ka treguar se Vanja nuk ishte mbytur, gjegjësisht që ty dy viktimat ishin gjallë në momentin e ekzekutimit. Sipas analizës ADN nga ngjitësja e cila ishte në gojën e Vanjës, janë gjetur gjurmë të përziera nga vajza, si dhe, sipas gjitha gjasave gjurmë të të akuzuarit Velibor Manev.
Në gjykim ishte prezantuar edhe ekspertiza psikiatrike e të akuzuarve e cila ka treguar se të gjithë e dinin çka bënin në momentin e kryerjes së veprës. Për viktimat e tyre, duke iu referuar gjetjeve psikiatrike, prokurorja Trajkovska, tha se kishin pësuar vuajte të vështirë psikike me intensitet të fuqishëm.
Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur të akuzuarit Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë.
Sipas akuzës, ata bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.
E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s