"Uollstri zhurnall": Deportim masiv në Çikago menjëherë pas inaugurimit të Trampit
- Administrata e re e Donald Trampit që në ditën e parë të punës së tyre po ndërmerr veprime për arrestimin e imigrantëve të paligjshëm edhe atë në Çikago, publikoi mbrëmë "Uollstrit zhurnall", duke iu referuar personave të njohur me planet.
Uashington, 18 janar 2025 (MIA) - Administrata e re e Donald Trampit që në ditën e parë të punës së tyre po ndërmerr veprime për arrestimin e imigrantëve të paligjshëm edhe atë në Çikago, publikoi mbrëmë "Uollstrit zhurnall", duke iu referuar personave të njohur me planet.
Të martën e javës së ardhshme, një ditë pas inaugurimit të Trampit, do të nisë një aksion i madh për dëbimin masiv të njerëzve që kanë hyrë ilegalisht në SHBA, të cilët janë kryesisht amerikano-jugorë, si pjesë e premtimeve që presidenti i sapozgjedhur bëri gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2024. Sipas burimeve, aksioni do të zgjasë një javë të tërë dhe do të përfshijë 100 deri në 200 punonjës nga shërbimi i emigracionit dhe doganave.
Kandidatura e Trampit për president u shoqërua me një premtim shumë të guximshëm - për të kryer deportimin më të madh masiv në historinë e SHBA.
Kërkohen ata që kanë kryer krime të lehta apo të rënda, si dhe vepra të ndryshme si shkeljet e trafikut, ndërsa të cilët administrata e Bajdenit nuk i ka ndjekur penalisht. Njëkohësisht, nëse do të kapen gjatë aksionit, do të arrestohen edhe ata pa dokumente qëndrimi.
Çikago është zgjedhur si shembull i një qyteti që ofron strehim për këta individë dhe zbaton politika që kufizojnë bashkëpunimin me autoritetet federale të imigracionit, njoftuan burimet. Në Çikago ka një numër të madh emigrantësh që mund të jenë objektiva të mundshëm për shkak të konfliktit që ekziston mes ekipit të Trampit dhe kryetarit të Çikagos, shkruan gazeta. ls/
Foto: printskrin