Valë e ftohtë e Arktikut në Uashington në ditën e inaugurimit të Trampit
- Një valë e ftohtë e Arktikut me temperatura nën zero pritet të përfshijë pjesën më të madhe të SHBA-së nga nesër deri në javën e ardhshme, duke prekur miliona amerikanë, ndërsa ka ndryshuar edhe planet për inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Tramp.
Uashington, 18 janar 2025 (MIA) - Një valë e ftohtë e Arktikut me temperatura nën zero pritet të përfshijë pjesën më të madhe të SHBA-së nga nesër deri në javën e ardhshme, duke prekur miliona amerikanë, ndërsa ka ndryshuar edhe planet për inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Tramp.
Shërbimi kombëtar meteorologjik kumtoi se në Uashington në Ditën e Inaugurimit pritet një i ftohtë ekstrem, me temperatura që do të zbresin deri në -11 gradë Celsius, e cila, e kombinuar me erën, do të ndihet si mot edhe më i ftohtë. Për shkak të kushteve të këqija të motit dhe ftohtit polar, inaugurimi i Trampit në vend se në ambient të hapur përpara Kapitollit, do të mbahet në ambient të mbyllur.
Moti më i ftohtë këtë sezon dimëror, i cili do të lëvizë nga perëndimi në lindje, është rezultat i një fenomeni të njohur si vorbulla polare që do të bëjë që temperaturat të ulen ndjeshëm në të gjithë SHBA-në.
Temperaturat e ulëta sjellin me vete rreziqe "kërcënuese për jetë" nga hipotermia dhe ngrica, paralajmëron Shërbimi kombëtar meteorologjik.
Ndërkohë, meteorologët nga AccuWeather parashikojnë se madje edhe pjesë të bregut perëndimor të Grenlandës në ditët në vijim do të jenë më të ngrohta se Teksasi. ls/
Foto: EPA